E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kuvendi vendos: Shtëpitë 20% më shtrenjtë

07/12/2004  Paketa fiskale ka marrë votat e shumicës, duke u bërë dokumenti ligjor mbi të cilën të gjitha nivelet e bizneseve do të derdhin detyrimet në arkën e shtetit për vitin 2005. Të prekur nga kjo paketë janë dhe qytetarët e thjeshtë, të cilët do t’u tatohet çdo lloj e ardhure nga sigurimet shoqërore deri te raporti shëndetësor apo leja e lindjes. Të prekur mund të quhen të gjithë pronarët e automjeteve të vjetra mbi 10 vjet dhe me naftë, që do të paguajnë një tatim 30 për qind më të lartë se makinat e tjera të reja dhe me benzinë. Paketa fiskale ka patur miratimin e plotë dhe pa diskutim të forcave të majta politike, përfshi dhe deputetët e LSI-së, të cilët nuk kanë kundërshtuar Paketën Fiskale, madje as nuk kanë marrë mundimin të diskutojnë në parim për të. Kështu, duket se kanë qenë vetëm deputetët e opozitës ata që i kanë bërë një oponencë të fortë paketës dhe disa taksave në veçanti, në lidhje me biznesin e vogël dhe me taksat mbi automjetet, që, sipas tyre pësojnë një rritje të ndjeshme të nivelit taksor dhe bien drejtpërdrejt mbi popullatën. “Ju po rrisni taksat mbi makinat me naftë dhe të vjetra, që janë në 90 për qind të rasteve të njerëzve të thjeshtë, ashtu sikurse po rrisni taksat për bizensin e vogël, që mban në punë pjesën më të madhe të atyre që keni hedhur vetë në rrugë”, ka bërë të ditur kreu i opozitës, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij. Por ka kundërshtuar ashpër ministri i Financave, Malaj, i cili ka kujtuar se kjo është paketa që u ka dhënë të drejtë të gjithë llojeve të bizneseve dhe sjell konsolidimin më të fortë të Buxhetit të Shtetit. Kështu, Parlamenti ka hedhur poshtë një amendament të opozitës, në bazë të të cilit kërkojnë një rritje më të madhe të taksave për makinat mbi dhjetë vjet dhe me naftë dhe një ulje e koeficientit të taksimit për makinat që ishin nën këtë nivel. Por, Parlamenti ka votuar propozimin e Komisionit të Ekonomisë, sipas të cilit, makinat mbi dy vjet dhe me naftë do të kishin një taksë më të lartë, që do të shumëzohet me një koeficient që fillon nga 0.018 deri në 0.03 te makina me moshë më të madhe. Parlamenti ka bërë një lëshim dhe është tërhequr në taksën e tatimit të thjeshtuar, e cila nga 3 dhe 4 për qind që ishte në projektligj, u la 3 për qind për të gjitha llojet e bizneseve. “Kemi rënë dakord për të mos patur shkallëzime, por t’i tatojmë të gjitha llojet e biznesit të vogël njëlloj”, ka deklaruar Bufi. Kjo i ka hapur rrugën më pas heqjes së taksës së tatimit në burim, që, sipas Bodes, është një taksë shtesë për të gjitha ato biznese që paguajnë tatimin e thjeshtuar. “Ne propozojmë një amendamet, që i heq tatimin në burim bizneseve që e paguajnë një herë këtë lloj takse, kur ju tatohet fitimi, duke mos lejuar një rritje artificiale të taksës”, ka deklaruar Bode. Kuvendi miratoi për herë të parë edhe TVSH-në e Lizingut.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›