E Diel, 1 Nëntor 2026

Ruçi, Xhafaj, Dokle dhe Dade pengojnë Edi Ramën të japë dorëheqjen

Socialistët, të irrituar nga humbja që shkaktoi aventura Rama
Pas humbjes së zgjedhjeve, Partia Socialiste ndodhet drejt përçarjes totale të saj. Politika dështuese e Ramës shkaktoi krizë ekzistenciale në partinë që ai drejton, duke çuar rrjedhimisht në lëvizje të reja kundër tij por dhe konfigurim të ri të kësaj partie. Tashmë Rama, i cili ndodhet në krizë identiteti për vete i ka ditët e numëruara në PS, pasi përveç politikës së intrigës, ai nuk dha asgjë tjetër për këtë parti të cilin ai e qeverisi për 4 vite. Në këtë situatë të tensionuar, kur socialistët ndihen më të dështuar se kurrë dhe për këtë nuk gjejnë asnjë shkak apo fajtor tjetër veç Ramës, në PS kanë nisur të konfigurohen lëvizjet kundër kreut aktual. Burime brenda PS bëjnë të ditur se që dy ditë më parë, pas mbërritjes së një sms elektronike në aparatin celular të tij, ku lideri socialist Fatos Nano i shkruante tekstualisht mi lër çelësat e PS tek bar Austria, Rama kishte dashur të jepte dorëheqjen. Por vullneti i Ramës është kundërshtuar nga Gramoz Ruçi, Fatmir Xhafaj, si dhe Namik Dokle, Arta Dade etj. Çelësat e kësaj partie, i kam unë, mësohet të ketë deklaruar Ruçi para Ramës, gjatë vendimit paraprak të këtij të fundit për të lënë drejtimin e PS. Ndërkohë lëvizja Majko, Mejdani dhe Malaj vazhdon të konfigurohet brenda PS, për zëvendësimin e Ramës, me njërin prej tyre. Por kjo nuk është oponenca e vetme ndaj Ramës brenda PS. Nga ana tjetër, pritet një lëvizje tjetër e fortë e Ben Blushit për largimin e Ramës deri edhe në përzënie të tij prej selisë rozë. Fushata kundër Ramës por dhe politikës së tij pritet të nisë së shpejti edhe në rrethe. Fillimisht do të zëvendësohen kryetarët e PS në rrethe, të cilët u emëruan nga vetë Rama. Furtuna në PS pritet të fillojë gjatë këtyre ditëve, ndërkohë që Ramës i është lënë afat vetëm rezultati përfundimtar i zgjedhjeve, të cilin po e pret vetëm ai.
Dorëheqja e Ramës, detyrim moral dhe ligjor ndaj PS  
Kryesocialisti Edi Rama, pritet të qëndrojë edhe pak ditë në drejtimin e Partisë Socialiste. 2 janë mënyrat që mund të sjellin largimin e tij nga PS, dorëheqja, ose përzënia. Kryesocialisti Rama ka disa arsye të cilat do ta çonin në dorëheqje. Dështimi në politikë por dhe premtimi që ai u dha shqiptarëve, që nëse humbiste zgjedhjet do të dorëhiqej nga drejtimi i partisë, si dhe precedenti Nano, që nënkupton dorëheqjen e këtij të fundit si kryetar i PS, pasi humbi zgjedhjet parlamentare 2005. Por qëndrimi i deritanishëm i Ramës, indiferent ndaj aktit të dorëheqjes, tregon se socialistëve nuk u ka mbetur gjë tjetër veçse ta përzënë nga PS për gjithë sa u shkaktoi në këto 4 vite si drejtues. Edhe pse rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve nuk janë certifikuar zyrtarisht, PS dhe vetë Edi Rama e dinë mirë se janë humbësi në këtë garë. E ndërsa Rama duhej të ishte larguar vetë prej ditësh nga drejtimi i PS për ti lënë vendin një prodhimtari më të mirë për të majtën, ai ende vazhdon të këmbëngulë tek rezultatet përfundimtare të cilat në të vërtetë nuk pritet të ndryshojnë statusin e tij si humbës. Jo më larg se dje, kryesocialisti Rama ka deklaruar se do të vazhdojë të drejtojë PS, deri në përfundimin zyrtar të procesit zgjedhor, kur KQZ të ketë shpallur rezultatin zyrtar. Unë jam i vendosur që ta udhëheq Partinë Socialiste deri kur procesit zgjedhor ti vihet pika, ka deklaruar publikisht Rama, duke lënë të nënkuptohej se pas shpalljes përfundimtare të rezultatit të zgjedhjeve, situata brenda PS ka arritur deri aty, sa ai nuk ka çfarë të bëjë brenda asaj partie, jo vetëm më si kryetar, por edhe si një anëtar i thjeshtë. Megjithatë, kryeneçësia e Ramës në shumë momente vendimtare për PS dhe politikën shqiptare ka treguar se dorëheqja e tij nga PS, do të jetë më shumë një shtrëngim nga socialistët se sa vullnet moral i vetë Ramës pas katrahurës që shkaktoi brenda të majtës dhe veçanërisht brenda PS.

Last Updated on Sunday, 05 July 2009 21:21

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›