E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ceka gati të bashkëpunojë me mazhorancën

Autori i Lajmit: red.
Presidenti i Partisë Aleanca Demokratike, Neritan Ceka shumë shpejt mund të bëhet pjesë e mazhorancës. Ky fakt është pohuar nga vetë ai në një deklaratë mediatike. Tashmë kur viti elektoral është afër, Ceka deklaron se është i hapur për çdo ofertë politike pavarësisht nga krahu politik. Për ish-demokratin e vjetër, ekzistenca e partisë që drejton rrezikohet gjithnjë e më shumë nga politika e fshehtë e të mëdhenjve, me të cilët nuk mund të bëjë gjë tjetër veçse të bashkohet. “Do pranojmë bashkëpunim për aspektet që na interesojnë. Është krijuar një kanal i thellë për shkak të ndryshimeve kushtetuese dhe kodit zgjedhor. Alenaca Demokratike e ndjen veten të marzhinalizuar dhe të rrezikuar për zhdukje për shkak të ndryshimeve kushtetuese dhe bashkëpunimit PS-PD”, - tha ai. Kryealeancisti deklaron se pavarësisht linjës të së majtës, ka qenë ndër të vetmit që ka mbështetur kreun e Qeverisë në nismat që shpesh janë konsideruar absurde nga pjesa tjetër opozitare. Ndërsa përka i përket Topallit, zërat kundër të cilës kanë qenë dhe nga brenda vetë mazhorancës, Ceka e cilëson si një diplomate të suksesshme. “E diskutueshme është marrëdhënia që ka zonja Topalli me një pjesë të opozitës ose me persona të caktuar të opozitës”, - tha ai. Dy ditë më parë gjatë seancës plenare kreu i PAD-së vlerësoi me superlativa punën e kryetares së Kuvendit në atë që ai e quajti diplomacia parlamentare. Ndërkohë që po pak ditë më parë sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Arben Demeti nuk kurseu akuza të shumta për kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama. Ai pohoi se me lidershipin aktual të PS-së, socialistët i largohen gjithnjë e më shumë fitores. Madje Demeti e ka quajtur dhe si të drejtë qëndrimin e Kryeministrit, Sali Berisha ndaj deputetit Taulant Balla, veprim ky që u dënua nga pjesa tjetër e opozitës. Sipas Demetit për iniciuesin e ndryshimeve kushtetuese ka qenë pak qëndrimi i Berishës. Këto deklarata duket se po thellojë gjithnjë e më shumë ndarjen mes PAD-së dhe PS-së por ndoshta edhe të opozitës edhe pse Ceka është pjesë e koalicionit “E majta për Integrim”.
Ky lajm është publikuar: 31/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›