Ceka kalon djathtas, por baza lëviz majtas
Nisur nga zhvillimet më të fundit politike në gjirin e PAD-së, që e kaluan liderin e saj tradicional Neritan Ceka nga koalicioni i majtë opozitar, në koalicionin e djathtë qeverisës dhe vetë liderin Ceka në karigen e nënkryetarit të Kuvendit, kryetari lokal i PAD-së për Gjirokastrën, Ylli Muho, ka deklaruar dje se jep dorëheqjen nga të gjitha detyrat, përgjegjësitë dhe anëtarësia në këtë parti, ndonëse është pikërisht Partia Demokrate Liberale që e bëri atë kryetar komune. Kryetari i degës lokale dhe i vetmi kryetar komune që i përket kësaj partie, Ylli Muho, ka deklaruar dje spostimin e tij nga e majta e politikës shqiptare. "Nisur nga disa zhvillime politike të kohëve të fundit në gjirin e PAD-së, nga pozicioni i deritanishëm si kryetar i PAD-së për Gjirokastrën dhe anëtar i Asamblesë së Përgjithshme të kësaj partie, deklaroj dorëheqjen time nga këto detyra, si edhe nga anëtarësia në PAD. Dhe ky akt politik erdhi si rezultat i përfshirjes së kësaj partie në koalicionin e djathtë. Kjo lëvizje nuk i përgjigjet vullnetit politik të zgjedhësve të mi, të cilët për dy mandate rresht më kanë votuar si kandidat të PAD-së, si një forcë politike e përfshirë në koalicionin e majtë. Është në moralin tim politik dhe qytetar që me këtë dorëheqje të ripozicionohem politikisht, duke respektuar, në radhë të parë dhe vazhdimisht, vullnetin e zgjedhësve që më kanë dhënë votën si kryetar komune", deklaroi dje kryetari i Komunës së Antigonesë dhe njëkohësisht edhe kryetar i PAD-së për rrethin e Gjirokastrës, Ylli Muho. Në vazhdim Muho theksoi se do të përkushtohej edhe më shumë në drejtim të menaxhimit të problemeve të Komunës Antigone, duke u vënë në shërbim të banorëve të saj, ndonëse, sipas tij, për sa kohë ka qenë pjesë e PAD-së është ndier i mbështetur nga drejtuesi kryesor i saj, Neritan Ceka.