E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria përpunon draftin për prokurorinë, por e mban "sekret"

Këshilli i Ministrave, në mbledhjen e tij të radhës, mori në shqyrtim projektligjin "Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë së Republikës së Shqipërisë i ndryshuar". Qeveria miratoi paketën e posaçme të projektligjit "Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë së Republikës së Shqipërisë i ndryshuar", ku ka përfshirë edhe sugjerimet e bëra nga faktori ndërkombëtar. Kryeministri Berisha thekson se ka ndryshuar kursin e qëndrimit, duke marrë parasysh edhe kërkesat dhe ankesat e EURALIUS, megjithëse drafti i Ministrisë së Drejtësisë është mbajtur sekret në drejtorinë juridike të Këshillit të Ministrave, ku duhet t‘u nënshtrohet disa ndryshimeve teknike. Nga burime në qeveri, mësohet se është ruajtur sërish pika që është kundërshtuar nga Prokuroria, e cila heq imunitetin, por edhe kontrolli i njëanshëm nga Ministria e Drejtësisë. Drafti tani do të kalojë në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, ku pritet të ketë debat të fortë me opozitën. Për ligjin e administratës gjyqësore, EURALIUS mbështeti që ajo të funksionojë ose si një strukturë e nëpunësit civil, pra punonjësit të zgjidhen me konkurs, ose të jetë nomenklaturë e gjyqësorit.

Në vendet e Evropës, funksionimi i administratës gjyqësore nuk i lihet në dorë ministrit të Drejtësisë. Ka dy modele: ose të varet nga gjyqësori, ose si pjesë e shërbimit civil. Kjo është marrë parasysh edhe në këtë draft të Ministrisë së Drejtësisë.

Funksionimi i administratës gjyqësore nuk do të rregullohet me një ligj të posaçëm, por do të jetë një shtesë e ligjit për funksionimin e gjyqësorit.

Projektligji i Alibeajt

Lidhur me këtë projektligj të rëndësishëm, Kryeministri Berisha u shpreh se ai është fryt i një bashkëpunimi të gjatë shumëmujor midis institucioneve dhe një ekspertize të shkëlqyer të dy misioneve që asistojnë institucionet e vendit në fushën e ligjeve, euroagjencitë dhe OPDAT.

Duke falënderuar të gjithë ata që kontribuuan për hartimin e tij, Kryeministri Berisha i bëri thirrje opozitës që ta shqyrtojë këtë draft, duke paraqitur të gjitha vërejtjet dhe sugjerimet, për të kaluar më pas në një miratim të përbashkët. "Shfrytëzoj këtë rast për të falënderuar të gjithë ata që kontribuuan, por shfrytëzoj rastin t‘i bëj thirrje opozitës që këtë draft ta shqyrtojë, të bëjë vërejtjet e veta, të paraqesë mendimet, sugjerimet dhe ta miratojmë bashkërisht. Pavarësisht nga përpjekjet për politizimin e këtij institucioni, opozita, aq sa qeveria duhet të jetë e interesuar për një institucion të pavarur akuze, në variantin për të cilin ka një dakordësi të plotë", tha Berisha. Më tej, Kryeministri Berisha u shpreh se "ky model që është në vazhdimësinë e një modeli që ka ekzistuar këtu prej 18 vitesh, pavarësisht nga ndryshimet e qeverive, i krijon të gjitha garancitë e pavarësisë së tij nga ekzekutivi, sikundër të gjitha garancitë e varësisë së tij nga ligji, e përgjegjshmërisë së tij para ligjit". Kryeministri Berisha deklaroi dje se reformimi i institucioneve të drejtësisë mbetet përparësia më madhore e kësaj mazhorance.

Kryeministri u shpreh se në çdo vend të lirë, në qoftë se do të listoheshin pushtetet, në raport me liritë dhe të drejtat e njeriut, pushteti i drejtësisë është më themelor se të gjitha pushtetet e tjera. "Mendoj se drejtësia ka bërë një progres të pamohueshëm në tërësinë e vet, por, nga ana tjetër, gjykoj se problem kryesor për pavarësinë e këtyre institucioneve dhe pikërisht për hir të lirive e të drejtave të njeriut më shumë se çdo gjë tjetër ato duhet të jenë të pavarura", u shpreh Kryeministri, duke nënvizuar se ky është një nga motivet më kryesore të pavarësisë së tyre. "Projektligji, i cili i përmbahet një modeli që ka ekzistuar prej 18 vitesh, pavarësisht ndryshimit të qeverive, krijon të gjitha garancitë e pavarësisë së tij nga ekzekutivi, si dhe përgjegjshmërisë së këtij organi para ligjit", theksoi Berisha.

Në projektligj është ruajtur sërish pika që është kundërshtuar nga Prokuroria, e cila heq imunitetin, por edhe kontrolli i njëanshëm nga Ministria e Drejtësisë

Ftesa

Shefi i qeverisë i bën thirrje opozitës të japë konsensusin e saj për ligjin mbi prokurorinë

Të rejat e projektligjit

Hiqet imuniteti i prokurorëve
Ministria e Drejtësisë ka dy anëtarë me të drejtë vote në Këshillin e Prokurorisë
Hiqet e drejta e votës për përfaqësuesin e Presidencës në Këshillin e Prokurorisë
Ulet paga e Prokurorit të Përgjithshëm
Kryeprokurori shkarkohet me njoftimin e akuzës
Prokurorët e Shkallës së Parë dhe të Apelit pezullohen me fillimin e procedimit penal
Prokurorët shkarkohen pas regjistrimit të procedimit penal
Transferimi i Prokurorëve në detyrë bëhet vetëm me marrjen e pëlqimit prej tyre


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›