E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Qeveria, strehë e ministrave të pandehur

Qeveria po jep shembullin e turpshëm të promovimit të pabarazisë ndaj ligjit, duke u bërë strehë ministrash të pandehur. Ky ishte konstatimi me të cilin u shfaq dje para medias Edi Rama, në ditën e përvjetorit të Deklaratës Universale të të Drejtave e Lirive të Njeriut. Në vlerësimin e liderit të opozitës, Shqipëria mbetet një vend ku njerëzit nuk janë të barabartë përpara ligjit dhe ku qeveria jep përditë shembullin më të turpshëm të promovimit të kësaj pabarazie, duke u bërë strehë ministrash të pandehur, që nuk paraqiten përpara drejtësisë. "Një vend ku pabarazia përpara ligjit dhe abuzimi i pushtetit me ligjin bën që të cenohet përditë e drejta e qytetarëve të thjeshtë dhe që përditë klientët e qeverisë të përfitojnë padrejtësisht në kurriz të shtetit të të gjithëve", tha ai. Teksa shtoi se e drejta e konkurrencës së lirë e të ndershme shkelet përditë nga një shtet i kapur prej një tarafi njerëzish të lidhur drejtpërdrejt me pushtetin dhe nga një administratë e vënë tërësisht nën sundimin e interesave të këtij tarafi. "Shqipëria mbetet një vend ku të drejtat e grave e të vajzave shkelen përditë dhe trafiku njerëzor për shfrytëzimin e tyre vazhdon të jetë një plagë e madhe, veçanërisht mes vajzave nën 18 vjeçe, që përbëjnë afro gjysmën e viktimave të këtij trafiku, ndërkohë që prej 17 vjetësh qeveritë i lënë vendin njëra-tjetrës pa bërë asgjë të veçantë në këtë drejtim", nënvizoi Rama. Ku ministrat e Drejtësisë, shtoi ai, qoftë ai që sot punon si zëdhënësi i oborrit kryeministror, qoftë ai që nga oborri kryeministror u ngrit në karrigen e ministrit, kanë si meritë të vetme ofrimin gratis për oborrin e ndihmës juridike për të mundësuar të paktën zullumin e veprimtarisë së paligjshme të Gërdecit, zullumin e pasurimit të paligjshëm të sekserit serb të Sali Berishës, zullumet e tjetërsimit të pronave nëpër Shqipëri. "Shqipëria mbetet vendi ku e drejta e zgjedhjes së lirë e të ndershme është larg së qenit e garantuar dhe ku të gjithë bashkë, pa dallim, duhet të bëjmë gjithçka për ta garantuar në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2009", u shpreh Rama. Kreu i socialistëve konstatoi se e drejta e punës së ndershme shkelet përditë për qindra mijëra qytetarë e qytetare, prindër apo të reja e të rinj në moshë për punë, të cilëve nuk u hapet asnjë perspektivë tjetër, përveç arratisë nga atdheu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›