Celibashi: PD pengoi ngritjen e KZZ-ve
14/04/2005 Kryetari i KQZ-së, Ilirian Celibashi, paraqiti dje në Komisionin e posaçëm parlamentar “Për zbatimin e legjislacionit zgjedhor” raportin mbi ecurinë e deritanishme të procesit elektoral. Sipas raportit të paraqitur nga kreu i KQZ-së, partitë politike janë bërë shkak për pengimin e punës së këtij komisioni. Në raport thuhet se mosdërgimi i emrave të anëtarëve të KZZ-ve ka sjellë vonesa në trajnimin e tyre, gjë që mund të sjellë probleme gjatë procesit zgjedhor. Sipas Celibashit, deri më tani, PD-ja ende nuk ka dërguar në KQZ propozimet e komisionerëve, por edhe ato parti që i kanë dërguar, kanë mangësi në dokumentacionin ligjor. Partia Socialiste ka rezultuar se ka mungesa në dokumentacionin e anëtarëve të KZZ-së për 8 komisionerë, nga 200 propozime që ka bërë. Gjithashtu mangësi në dokumentacion janë vënë re dhe nga parti të tjera si PSD, PDR, PR dhe PBDNJ. Në raportimin e Celibashit përpara deputetëve, u theksua përgatitja e logjistikës zgjedhore, vendndodhja e KZZ-ve dhe masat që po merren në këtë drejtim, si dhe miratimi i rregullores së brendshme të KQZ-së. Pas paraqitjes së raportit, bashkëkryetari i Komisionit parlamentar, Sokol Olldashi, kërkoi të dinte mbi dërgimin e regjistrit kombëtar të zgjedhjeve në Ministrinë e Pushtetit Vendor. Për këtë çështje, Celibashi u përgjigj se është vepruar në bazë të ligjit mbi të drejtën e informimit dhe nuk i ka dërguar MPVD-së bazën e të dhënave. “Unë si kryetar i KQZ-së kam dërguar atë disk që është shpërndarë në 1000 kopje dhe që përmban informacion për listat e zgjedhësve të vitit 2003. Eshtë i njëjti disk që u kam dërguar edhe subjekteve politike dhe përfaqësuesve të pushtetit lokal në të gjithë vendin. KQZ-ja nuk disponon informacion të klasifikuar dhe çdo njeri është i lirë të hyjë të marrë informacion në të”, tha Celibashi.