E Diel, 1 Nëntor 2026

Sllogani PS: Të mbrojmë të ardhmen

14/04/2005  Nano sulmon KOP dhe Berishën gjatë takimit me socialistët e Kuçovës

“Berisha dhe KOP-istët e tij, para se të na japin mend nga hotelet me 5 yje, të vijnë në Kuçovë"

“Të mbrojmë të Ardhmen”, do të jetë slogani i Partisë Socialiste për fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare. Këtë moto e ka dhënë dje kryetari i PS-së, Fatos Nano, në Kuçovë, ku ka sulmuar iniciativën e Partisë Demokratike dhe të të rinjve të afruar në të. Nano ka prezantuar ministrin e Regullimit të Territorit dhe Turizmit, Bashkim Fino, si kandidat për deputet në këtë zonë. Ai ka bërë një rezyme të investimeve të kryera në këtë zonë, duke i siguruar banorët se me fitoren e PS-së në zgjedhjet e përgjithshme fluksi i investimeve do të jetë më i madh. Nano e ka cilësuar si një sfidë fitoren e mandatit 2005-2009 të qeverisjës nga PS-ja. Ai i ka bërë ftesë kreut të PD-së që të zbresë në bazë dhe të shikojë atë që është realizuar nga qeverisja e socialistëve me aleatët. Dje, Nano ka përuruar në bashkinë e këtij qyteti zyrën “One Stop Shop” Zyra “me një ndalesë”, ku ka theksuar rëndësinë e krijimit të një zyre të tillë në procedurat e regjistrimit të bizneseve.

Motoja

Partia Socialiste në fushatën e saj elektorale do të dalë në mbrojtje të së ardhmes dhe integrimit të vendit në strukturat evropiane, duke e cilësuar kështu fitoren e PD-së si një kthim mbrapa. Sipas kreut të PS-së, “Të mbrojmë të Ardhmen” do të jetë motoja që përfaqësuesit e kësaj partie do të shpalosin përballë elektoratit të tyre. “Shqipëria sot është në trenin evropian dhe nuk ka ndërmend të zbresë, apo të kalojë nëpër karroca kuajsh të hazdisur të Berishës, për ta sjellë sërish në buzë greminash si ajo e 1997-ës. Prandaj, unë ju ftoj të gjithëve si një trup i vetëm të mbrojmë të ardhmen, të mbrojmë integrimin, të mbrojmë vazhdimin e investimit të madh për ta bërë Shqipërinë evropiane dhe moderne”.

Ftesa

Kreu i qeverisë gjatë takimit me banorët e Kuçovës i ka kërkuar kreut të PD-së, që “Berisha dhe KOP-istët e tij, para se të na japin mend nga hotelet me 5 yje të Tiranës, përballë kamerave përtace, të vijnë në Kuçovë, të shkojnë në Lekbibaj, në Dropullin e Poshtëm, në Pogradec, në Maminas, në Novoselë, kudo qeverisin socialistët dhe aleatët tanë për të kuptuar se idetë e tyre janë të vjetëruara, nuk janë konkurruese, nuk mbështeten nga qytetarët dhe prandaj të njohin dhe të shijojnë, siç kanë shijuar tetë vjet të qeverisjes sonë, realitetet e reja dhe integruese që ne kemi krijuar”.

Sulmi

Nano ka sulmuar strukturat e PD-së, duke u shprehur se “Shqipëria ka nevojë për sipërmarrës dhe nuk ka nevojë të shpiken apo të hidhen në ajër modele të stisura si ato të ekspertëve KOP-iacë të Berishës, të cilët është e sigurtë që nuk janë angazhuar në politikë për t’i shërbyer qytetarëve, por për t’u përpjekur më kot të kurojnë një njeri të pashërueshëm si Berisha i vjetër, apo për t’i zgjatur atij jetën politike. Unë ju garantoj për shkak se ju e siguroni këtë gjë, se sado e gjatë të jetë jeta politike e Berishës, kjo jetë politike ka për të qenë vetëm në opozitë”, tha Nano.

Premtimi

Kryeministri Fatos Nano i ka premtuar banorëve të Kuçovës furnizim 24 orë me ujë të pijshëm. Gjithashtu, Nano është shprehur se, “në mandatin e ri 2005-2009 sfida e PS-së mbetet zbatimi i programeve të investimit në gjithçka që ka mbetur për të arritur standardet e BE-së”. Kreu i qeverisë e ka cilësuar si prioritet kryesor konsolidimin e institucioneve dhe të shtetit ligjor në shërbim të qytetarëve. Një sfidë tjetër që do të përballet PS-ja në rast të fitores në zgjedhje do të jetë, sipas Nanos, “lufta kundër korrupsionit, abuzivizmit, trafiqeve dhe tarafllëqeve”. Të gjitha këto, për kreun e PS-së do të realizohen “jo me slogane dhe fushata, por me reforma dhe institucione moderne dhe trasparente. Kështu e luftojmë ne korrupsionin! Jo me dokrra dhe me akuza të paverifikueshme”, tha Nano.

Xhufi takim me studentët në Tiranë

Zëvendëskryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Pëllumb Xhufi, së bashku me kandidatin për deputet të njësisë numër 2 në Tiranë, Edmond Panariti, kanë zhvilluar dje një takim me studentë. Në këtë takim janë diskutuar problemet që shqetësojnë rininë studentore në tërësi dhe, veçanërisht të rinjtë në “Qytetin e Studentit”. Një problem shqetësues në këtë zonë është përmirësimi i infrastrukturës. Ndërkohë që problematika ka qenë dhe në aspektin e arsimit, ku studentët paraqitën shqetësimin mbi pamundësisë e ushtrimit në praktikë të njohurive të fituara në fakultete. Ky shqetësim u evidentua veçanërisht nga ato studentë të fakulteteve, që e kanë të nevojshme praktikën laboratorike dhe atë prodhuese në tërësi. Ndërkohë që, drejtuesit e LSI-së i kanë garantuar studentëve se, kjo parti do të jetë katalizator për të rrituar pjesëmarrjen e të rinjve në projekte zhvillimi, që mund të financohen nga fondet e donatorëve, si dhe nga buxheti i shtetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›