E Diel, 1 Nëntor 2026

Moisiu në Izrael për inaugurimin e Muzeut të kushtuar martirëve të Holokaustit

15/03/2005  Kreu i shtetit do të mbajë fjalën në seancën e veçantë në Jad Vashem

Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, do të niset sot për një vizitë zyrtare dyditore në Izrael, ku do të marrë pjesë në inaugurimin e Muzeut të Ri të Jad Vashemit, kushtuar përkujtimit të martirëve dhe heronjve të Holokaustit. Presidenti Moisiu, gjatë vizitës së tij, do të zhvillojë një takim me Presidentin e Izraelit, Moshe Kasav dhe takime të tjera si dhe do të mbajë fjalën në seancën e veçantë në Jad Vashem, ku marrin pjesë Presidenti Kasav, Kryeministri Sharon, zyrtarë të lartë të Shtetit të Izraelit dhe krerë shtetesh të ndryshëm të ftuar. Shqipëria është nga të vetmit vende që gjatë Luftës së Dytë Botërore nuk kanë pranuar të dorëzojnë hebrejtë. Madje, të dhënat tregojnë se shqiptarët i kanë mbajtur në shtëpitë e tyre hebrejtë, duke u siguruar ushqime dhe vendqëndrime. Ndërsa dhe pas mësymjeve të shumta nuk është pranuar që hebrejtë, që jetonin në Shqipëri, të dorëzoheshin te pushtuesit. Gjithsesi, sot Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, do të vizitojë Izraelin dhe muzeun e ndërtuar për të përkujtuar përndjekjen e hebrejve, ku janë pasqyruar foto dhe të dhëna të tjera mbi vrasjet dhe burgimet gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kreu i shtetit shqiptar në përkujtim të të rënëve gjatë persekutimeve do të mbajë dhe një qëndrim në seancën e veçantë që do të organizohet nesër.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›