E Diel, 1 Nëntor 2026

Celibashi: Zgjedhjet zhvillohen nga 3 korriku deri më 4 gusht

13/02/2005  Kryetari i KQZ-së sqaron debatin për afatin e mandatit të deputetëve

Kryetari i institucionit më të lartë zgjedhor në vend, Ilirjan Celibashi, ka sqartuar dje momentin tepër të debatueshëm për datën e zgjedhjeve. Sipas tij, duke parë se Kuvendi ka nisur punën më 3 shtator 2001 dhe afati mbarimit të mandatit të deputetëve është 3 shtatori 2005. Në bazë të Kushtetutës, zgjedhjet zhvillohen 60 ditë deri në 30 ditë para përfundimit të mandatit të Kuvendit, ndaj zgjedhjet janë më 3 korrik deri më 3 gusht. Sipas Celibashit, "këtë afat e mbështet dhe e përcakton Kushtetuta e Shqipërisë". Duke sqaruar momendin ligjor dhe kushtetues, Celibashi tha se, sipas "Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor, i takon që zgjedhjet të jenë nga 3 korriku deri më 3 gusht. Mbledhja e parë e Kuvendit sikurse dihet është zhvilluar në 3 shtator 2001 kështu që 4 vjet i bie në shtator të 2005 dhe sipas Kushtetutës 30 deri në 60 ditë para kësaj date i bie 3 korrik deri më 3 gusht". Qëndrimi i kreut të KQZ-së për këtë afat kohor mbështetet dhe nga fakti që "KQZ-ja ka nevojë për një kohë të mjaftueshme ose të paktën të domosdoshme, për të përgatitur procesin zgjedhor, sepse po të kemi parasysh, ligji zgjedhor u miratua mjaft vonë, ndaj për datën duhet të jepen të dhëna sa më parë". Deklarata e Celibashit për datën e zgjedhjeve i radhitet qëndrimeve të Partisë Socialiste. Ndërkohë që vetë KQZ-ja ka filluar punën për përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore. Javën që vjen në këtë komision pritet të merren në shqyrtim katër modele kutish votimi, të cilat do të përdoren gjatë zgjedhjeve të përgjithshme. Për këtë proces kanë shprehur interes 4 kompani të huaja, që kanë përparësi të aktivitetit të tyre përgatitjen e zgjedhjeve dhe sigurimin e shërbimeve për administrimin e proceseve elektorale në vende të ndryshme të botës. Mes modeleve të propozuara, do të shqyrtojnë edhe atë të kompanisë kanadeze, që u përdor në zgjedhjet e përgjithshme të 30 janarit në Irak.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›