E Diel, 1 Nëntor 2026

Karamelo: Dule bllokoi ndarjen elektorale të vendit

13/02/2005  Kryetari i Lëvizjes për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, Ligoraq Karamelo, ka kërkuar bashkimin e forcave të opozitës shqiptare për të ndërtuar një strategji të përbashkët për zgjedhjet e përgjithshme. Karamelo e ka cilësuar bashkimin e forcave të opozitës si e vetmja mënyrë për të ndryshuar imazhin qeverisës në Shqipëri. Gjatë konstituimit të partisë së tij në rrethin e Durrësit, Karamelo ka sulmur dhe qeverinë që drejtohet nga Partia Socialiste. Sipas tij, "vendi po kalon krizën më të rëndë në këto 14 vite demokraci dhe e vetmja mundësi për të kapërcyer këtë krizë është largimi nga pushteti i socialistëve". Ish-deputeti i PBDNJ-së nuk ka harruar të akuzojë kreun aktual të kësaj partie, Vangjel Dule, për pengim të procesit për ndarjen e zonave elektotarole në vend. Karamelo tha se "është Dule, ai që hedh gurin e fsheh dorën". Sipas tij, procesi për ndarjen e zonave është shumë i vonuar dhe rrezikon të dështojë. Karamelo ka iniciuar lëvizjen e tij nën moton "Mirëqenia juaj fillon nga të drejtat dhe liritë tuaja", menjëherë pas ndarjes nga PBDNJ. Në qytetin e Durrësit është zgjedhur drejtuesi i kësaj lëvizjeje stomatologu Albert Simaku.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›