Celibashi monitorues në Irak
22/12/2004 Kryetari i KQZ-së, Ilirian Celibashi, do të jetë anëtar i bordit drejtues të misionit të zgjedhjeve në këtë shtet. Përzgjedhja e kryetarit aktual të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në këtë mision është bërë nga forumi për zgjedhjet në Irak, zhvilluar në Otava të Kanadasë, në bashkëpunim me Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Ndërkohë që në këtë mision do të ketë dhe përfaqësues nga KQZ-të e vendeve si Kandaja, Britania e Madhe, Meksika, Indonezia dhe Panamaja. Është herë e parë që Iraku do të zhvillojë zgjedhje pas rrëzimit të diktaturës së Sadam Huseinit. Brenda vendit janë lëshuar deklarata nga mbështetes të diktatorit për mospjesëmarrje në procesin zgjedhor të 30 janarit të vitit 2005. Momentalisht, misioni i kreut të KQZ-së shqiptare në Irak mund të quhet i rrezikuar. Komisioni do të marrë pjesë në zgjedhjet e 30 janarit por dhe në ato të mesit të dhjetorit të ardhshëm. Ndërkohë është bërë e ditur se në ruajtjen e tyre do të angazhohen kompani private si dhe trupat paqeruajtëse. Ndërsa deri më tani janë trajnuar rreth 5000 monitorues. Grupi i vëzhguesve të komisioneve qendrore do të kryesohen nga shefi i zgjedhjeve në Kanada, Jean-Pierre Kingsley. Në prononcimin e tij ai ka bërë të ditur se janë marrë të gjitha masat për garantimin e punës dhe të pavarësisë në vendime të misionarëve dhe të komisioneve të votimit. Kingsli ka bërë të ditur se vëzhgimi nga një komision shumënacional është tërësisht i mundur dhe i duhur