E Hënë, 2 Nëntor 2026

PD do ndryshojë buxhetin me ardhjen në pushtet

22/12/2004  Pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2005, buxheti i shtetit do të ndryshojë sërish. Dje, gjatë diskutimeve në Kuvend, kryetari i PD-së, Sali Berisha, është shprehur se me ardhjen e opozitës aktuale në pushtet, buxheti do të ndryshojë tërësisht, duke premtuar uljen e taksave, rritjen e pensioneve dhe të pagave të buxhetorëve. Sipas Berishës, kjo është tërësisht e mundur, mjafton që në dogana dhe në vjeljen e taksave të punohet dhe më mirë. Berisha është shprehur se në nenet e buxhetit lihet hapësirë për përdorimin e fondeve për qëllime elektorale. Shkak për këtë është fakti se ministritë kanë të drejtë që të tërheqin fondet e caktuara për një zonë dhe t'i investojnë në një tjetër.

Topi

"Sot po shohim të njëjtën skemë me atë të një viti më parë, ku Kryeministri harton të njëjtën poezi, duke treguar edhe njëherë se sa njeri i paturpshëm është. Ai vjen këtu vetëm në momentin e prezantimit dhe të votimit, për të trembur të tredhurit e mazhorancës, të cilët të gjithë së bashku përbëjnë një grup të pafuqishëm dhe të paaftë për qeverisje", tha në fjalën e tij kreu i Grupit parlamentar të PD-së, Bamir Topi. "Me këto që po bëni, Kryeministri duhet të gjykohet si vrasës i popullit të tij. Projektbuxheti i jep goditjen përfundimtare ekonomisë shqiptare dhe po ndihmon vetëm pushtetarët të mbushin xhepat e tyre", tha ai.

Kërkesa

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Ridvan Bode, është shprehur dje se pagat dhe pensionet në Shqipëri duhet të rriten në masën 20 deri në 40 për qind. Për të, kjo është tërësisht e përballueshme nga shtetit shqiptar, mjafton të rriten me 9 miliardë të ardhurat fiskale, 5.9 miliardë tatimi mbi vlerën e shtuar, 250 milionë tatimi mbi fitimin, 283 milionë akcizat dhe 579 milionë tatimi mbi të ardhurat. Për demokratët, mjafton që të ketë një kontrroll më të mirë në vjeljen e taksave dhe do të arrihet në rritjen e pensioneve dhe të pagave. Ndërsa Berisha, duke parë se socialistët nuk i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së tij për të bërë një buxhet bashkë me opozitën, tha se me ardhjen e PD-së në pushtet, buxheti do të ndryshojë dhe do të ulen shpenzimet qeveritare.

Topi protestin ndaj Pëllumbit

Kryetari i Grupit parlamentar të PD-së, Bamir Topi, ka protestuar dje ndaj qëndrimeve të Kryetarit të Kuvendit mbi qëndrimin e mbajtur ndaj opozitës. "S'e kuptoj se si eksitoheni kur vjen në seancë kryetari i mazhorancës", i është drejtuar Topi Pëllumbit. Ndërsa ky i fundit është shprehur se mban të njëjtin qëndrim me kryetarin e PS-së. siç mban dhe vetë Topi ndaj kryetarit të PD-së. Shkak për këtë ka qenë ndërprerja e fjalës së kreut të opozitës. Sali Berisha, i cili në argumentet e tij ka akuzuar ministrat e kabinetit Nano për vjedhjen e taksave. Servet Pëllumbi. në qëndrimin e tij. konstatoi se Berisha kishte kaluar kohën e përcaktuar për diskutime. ndaj dhe ka ndërprerë fjalën. Kjo ka shkaktuar irritimin e deputetëve të opozitës. të cilët janë ngritur në këmbë. duke kërkuar që Berishës t'i jepej më shumë kohë. Pavarësisht nga kjo. Pëllumbi ka vijuar me votimin e nenit të parë dhe të dytë. Ndërsa deputetët e PD-së nuk kanë marrë pjesë në votim. duke qëndruar gjatë kësaj periudhe para podiumit. Ndryshe nga seancat e mëparshme, këtë radhë janë shmangur përplasjet me rojet e Kuvendit apo sharjet banale. Ndërsa nuk kanë munguar batutat mes kryesocialistit dhe kryedemokratit. Gjithsesi, për këtë situatë, në emër të Grupit parlamentar të PD-së, Bamir Topi, ka tërhequr vëmendjen e Pëllumbit, duke e cilësuar këtë qëndrim si të padenjë.

LSI, ja pse abstenuam

Ndërsa deputetët e LSI-së kanë abstenuar në votimin e buxhetit, aleatët e Partisë Socialistë janë tërhequr disa nga qëndrimi i tyre i rezervuar ndaj Buxhetit të Shtetit. Në votimin e zhvilluar dje, vetëm Gaqo Apostoli ka shprehur votën abstenim, ndërsa Ceka, deputetët e PAA-së, të PBDNJ-së dhe Milo kanë dhënë votën pro. Por, presioni ndaj Nanos duket se nuk ka përfunduar këtu, pasi kreu i socialdemokratëve, Skënder Gjinushi, nuk ka marrë pjesë në votimin në seancë. Kështu kanë vepruar dhe Ilir Meta bashkë me Monika Kryemadhin. Ndërsa 7 deputetët e tjerë të Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë preferuar të japin votën e tyre abstenim. Kështu, Sabit Brokaj, Eduart Alushi, Spartak Braho, Dritan Prifti, Mustafa Muçi, Limoz Dizdari dhe Ndre Legisi kanë preferuar të abstenojnë. Për sa i përket abstenimit, shefi i zyrës për Marrëdhëniet me Publikun të LSI-së, Dritan Ylli, sqaron se "vota abstenim do të thotë se nuk mund të bëheshim pjesë e një buxheti që shton varfërinë e popullit. Por, nga ana tjetër nuk mund të linim, pra duke votuar kundër, njerëzit pa paga dhe pa pensione. LSI-ja bëri përpjekjet maksimale që në momentin që mori në dorë draftin e buxhetit 2005 të paraqitur nga qeveria, për ta përmirësar atë duke parashtruar dhe amendamentet e saj konkrete, brenda të cilave gjendej zgjidhja e vetme për të kaluar këtë situatë të vështirë ekonomike dhe sociale, si dhe për të bërë realisht të mundur ndihmën ndaj kategorive sociale në nevojë luftën ndaj varfërisë rritjen reale të pagave dhe pensioneve që nga data një mars si dhe pagesat e ish-ushtarakëve dhe të familjeve të dëshmorëve. Por, duke qenë se nuk u morën për bazë, doli që sërish fitoi kontrabanda dhe monopolet, si dhe ekonomia informale dhe jo njerëzit në nevojë. Propozimet tona për projektbuxhetin ishin pengesa për evazionin fiskal, kontrabandën dhe ekonominë informale, rivalizimeve klienteliste dhe të hartimit të legjislacionit fiskal që favorizon bizneset e qeveritarëve".

Duka pro Berishës për të ulur pagat e deputetëve

Ministri i Bujqësisë, Agron Duka, ka mbështetur dje idenë e hedhur prej kreut të demokratëve, Sali Berisha, mbi reduktimin e shpenzimeve të deputetëve dhe ministrave. Shkak për këtë deklaratë ka qenë argumentimi i dy ditëve më parë të kreut të PD-së, i cili ka thënë se pagat e deputetëve dhe të ministrave në Shqipëri janë shumë të larta. Kjo është cilësuar e pranueshme nga Duka, që ka hedhur hapin për nisjen e procedurave të uljes së pagave për parlamentarët. Me këtë rast, ai ka ftuar Berishën që së bashku t'i falin rrogën e një muaji azilit të pleqve në Kavajë. Nga ana tjetër, në lidhjet me akuzat kundër tij, Duka i ka cilësuar të pavërteta, ndërsa është shprehur se ato do të vijnë në rritje me afrimin e zgjedhjeve parlamentare. Në këtë mënyrë, ai ka theksuar se akuzat janë thjesht politike. Nga ana tjetër, Duka ka mbështetur projektbuxhetin e paraqitur në Kuvend për votim, duke e cilësuar realist. Në lidhje me investimet në bujqësi, Duka tha se janë hedhur hapa përpara, ndërsa ka parashikuar investime të mëtejshme.

Batutat në seancë

Berisha-Nanos: Do t'i duket Janukoviçi lule, në rast se do ta përdorë buxhetin për fushatë elektorale

Rusllana do t'i duket Janukoviç

Nano-Berishës: Në emër të popullit, jam i detyruar të kemë marrëdhënie me miqtë e Shqipërisë, pavarësisht se kush janë në pushtet

Kemi 8 vjet që përpiqemi ta çhelmojmë, por e ka helmuar shejtani, ndaj mirë është ashtu siç është

Berisha-socialistëve: Po silleni si Ali Babai me 40 hajdutët

Topi-Pëllumbit: S'e kuptoj se si eksitoheni kur vjen në seancë kryetari i mazhorancës

Pëllumbi-Topit: Qëndrimi im me kryetarin e mazhorancës është njësoj me qëndrimin tuaj ndaj kryetarit të opozitës.

Topi-socialistëve: Ai vjen këtu vetëm në momentin e prezantimit dhe të votimit, për të trembur të tredhurit e mazhorancës, të cilët, të gjithë së bashku, përbëjnë një grup të pafuqishëm dhe të paaftë për qeverisje.

Sabit Brokaj

Të gjithë e njohim këtë realitet të vështirë, por jo të gjithë tregojmë vullnet për ta ndryshuar atë. Propozimet që bën LSI për të ndryshuar buxhetin janë realiste dhe ato japin zgjidhje për probleme serioze që shqetësojnë sot vendin. Propozimet nuk bazohen në heqjen e fondeve të destinuara për një kategori njerëzish në nevojë dhe për t’ja kaluar ato një grupi tjetër nevojtarësh. Ne propozojmë t’ja marrim paratë kontrabandistëve.

LSI

Vota abstenim do të thotë se nuk mund të bëheshim pjesë e një buxheti që shton varfërinë e popullit. Por nga ana tjetër nuk mund të linim, pra duke votuar kundër, njerëzit pa paga dhe pa pensione. LSI-ja bëri përpjekjet maksimale që në momentin që mori në dorë draftin e Buxhetit 2005 të paraqitutr nga qeveria, për ta përmirësar atë duke parashtruar dhe amendamentet konkrete.

Taulant Dedja

Miratimi i këtij buxheti përkon me dy momente të rëndësishme, së pari, me zgjedhjet e vitit 2005 dhe së dyti, që ky diskutim është shoqëruar me një debat shumë negativ. Vërtet ne vazhdojmë të kritikohemi nga ndërkombëtarët, por deri më sot ne nuk jemi quajtur ndonjëherë qeveri gangsterash. Buxheti është realist, i përkrahur nga ndërkombëtarët dhe i bazuar në një ambient të qëndrueshëm makroekonomik.

Bamir Topi

Sot po shohim të njëjtën skemë me atë të një viti më parë, ku Kryeministri harton të njëjtën poezi, duke treguar edhe njëherë se sa njeri i paturpshëm është. Ai vjen këtu vetëm në momentin e prezantimit dhe të votimit, për të trembur të tredhurit e mazhorancës të cilët të gjithë së bashku përbëjnë një grup të pafuqishëm dhe të

paaftë për qeverisje. Po u them edhe njeherë sot, mos vidhni xhepat e të mjerëve. Me këto që po bëni Kryeministri duhet të gjykohet si vrasës i popullit të tij.

Apostoli

Buxheti që përcillet sot në parlament, parashikon një rritje me pikatore të zhvillimeve ekonomike sociale në vend. Madje, mund të thuhet se në një farë mënyre bashkë me buxhetin, ne po miratojmë edhe evazion fiskal, çka është e palejueshme. Buxheti nuk siguron parametrat për një zhvillim normal të vendit, pasi në të mungon integriteti dhe përfshirja e qytetarëve në qeverisje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›