E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Plot me korrupsion dhe ryshfete”

22/12/2004  Rreth 7 për qind e xhiros së një firme shkon për të kënaqur xhepat e të korruptuave. Ky është një ndër përfundimet e raportit të Bankës Botërore. Raporti është përdorur si një shembull si nuk duhet qeverisur një vend, ditën kundër korrupsionit, më 9 dhjetor 2004. “Në termat e treguesve të cilësive institucionale, së fundmi, Shqipëria ka një zhvillim jashtëzakonisht të ngadalshëm, krahasuar me vende të tjera në tranzicion”. Kjo është fjalia e parë e analizës që i bëhet vendit nga Banka Botërore. Ndër fjalitë përgjithësuese përmendet se “Shqipëria po ecën shumë ngadalë, edhe në luftën e saj kundër korrupsionit, vendosjes së rregullave të lojës apo të shtetit ligjor, integrimit të saj ekonomik dhe prodhues”. Të gjitha sëmundjet e administratës çojnë në një trembje të investitorëve të huaj. Në këtë mënyrë, ata largohen përditë e më shumë nga Shqipëria. Sipas bankës, “më shumë se gjysma e kompanive shqiptare pranojnë faktin se u paguajnë ryshfete zyrtarëve shtetërorë”. Dhe kuptohet se në krye të listët së bizneseve do të qëndrojnë tregtarët dhe ndërtuesit. “Dhënia e ryshfeteve nga kompanitë private ndaj zyrtarëve shtetërorë, është më e madhe te tregtarët dhe kompanitë e ndërtimit. Pothuajse 3/4 e kompanive të ndërtimit apo tregtare, pranojnë se paguajnë ryshfete”.

Forma më e përhapur e korrupsionit është vjedhja e aseteve publike, e cila, sipas raportit, është pranuar si shumë e njohur nga 1/3 e nëpunësve shtetërorë. “Sipas nëpunësve shtetërorë, më shumë se 50 për qind e punonjësve të doganava i ‘blejnë’ vendet e tyre të punës”. Korrupsioni i lartë shkakton një mbledhje shumë të ulët taksash, por në të njëjtën kohë është një taksë private e konsiderueshme për ndërmarrjet private. “Nëntë ndër dhjetë kompani pranojnë se kujdesen vetë për sigurinë e punëtorëve dhe aseteve të tyre. Mesatarisht, ato paguajnë rreth 5% të xhiros mujore dhe punësojnë mesatarisht, rreth 9 roje. Shpenzimet janë të konsiderueshme, por, gjithsesi janë më të vogla se ato nga korrupsioni”.

Ryshfetet, përgjithësisht, jepen për një numër shërbimesh kyç qeveritare. Sipas raportit, më shumë se 50 për qind e kompanive që ndjekin shërbimet qeveritare, pohojnë se ryshfetet janë pjesë përbërëse në shërbimet që u bëhen prej tyre. Një ryshfet tjetër është ryshfeti normal, që qytetarët paguajnë për shërbimet shëndetësore. “1/4 e qytetarëve, të cilët kanë një pjesëtar të familjes të sëmurë rëndë, pranojnë se u japin ryshfete bluzave të bardha. Sipas të dhënava zyrtare, spitalet konsiderohen si institucionet më të korruptuara në Shqipëri, pas gjyqësorit, doganave dhe agjencisë së privatizimeve”. Korrupsioni në prokurimet qeveritare publike, mbetet një problem kyç. “Më shumë se 50% e firmave që kanë kontakte me nëpunës shtetërorë, të lidhur me procedurat e pranimeve në prokurime shtetërore, pranojnë dhënien e ryshfeteve. Këto kompani paguajnë ryshfete në 70% të rasteve”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›