E Hënë, 2 Nëntor 2026

Celik Energy, e meritojmë Albtelekomin

20/05/2005  Konsorciumi që ka ofruar 120 milionë euro, siguron se është në gjendje ta bëjë të suksesshëm Albtelekomin

Në mes të zhurmës mediatike për shitjen e Albtelekom, e iniciuar nga opozita, duket se konsorciumi që pretendohet të jetë pronari i ri, ka vendosur të sqarojë publikisht pozicionin e vet. “Celik Energy“, që është një prej aksionerëve të konsorciumit së bashku me “Turk Telekom“, ka deklaruar se ka gjithë potencialin e nevojshëm për të bërë Albtelekomin një kompani të suksesshme në telekomunikacion.

“Ne deklarojmë gjithë vendosmërinë tonë për të blerë me 120 milionë euro 76 për qind të aksioneve të Albtelekomit“, ka bërë të ditur me anë të një deklarate për shtyp “Celik Energy Telekomunikation“. Sipas “Celik Energy“, konsorciumi me “Turk Telekom“ ka të gjithë eksperiencat dhe njohuritë e duhura për të mbajtur dhe zhvilluar Albtelekomin dhe “Eagle Mobil“ me rrjete më moderne të shërbimit dhe nivelin më të lartë të cilësisë. “Turk Telekom është operatori i 13-të në Botë me 25 milionë klientë dhe 5 milionë numra celularë“, ka deklaruar “Celik Energy“. “Celik Energy“ ka bërë të njohur kapacitetin e vet dhe mundësitë financiare për të mbajtur Albtelekomin dhe për ta kthyer në një operator të suksesshëm, duke kujtuar se aksioneri i tij është operatori i 13-të në Botë për nga fuqia e investimit. “Ne jemi në gjendje të provojmë se ofrojmë të gjitha mundësitë për zhvillimin e këtij rrjeti dhe atë çka presin konsumatorët shqiptarë nëpërmjet shitjes së Albtelekomit“, bëhet e ditur në deklaratën për shtyp. Kështu, duket se planet strategjike për t’u shtrirë në të gjithë rajonin, kanë bërë që konsorciumi të marrë miratimin e bordit për të blerë me 120 milionë euro patentën e Albtelekomit, që e ndihmon atë të ketë një licensë jo vetëm në telefoninë fikse, por dhe në atë celulare në vend. Kështu, “Celik“ bën të njohur se është prezantuar me një performancë të lartë të aktivitetit të vet në rajonin e Ballkanit, duke u shtrirë në Evropën Juglindore, Lindjen e Mesme dhe në Afrikë. ”Ky është rezultati i dy dekadave punë dhe devocion“, bën të ditur kompania. Prania e një kompanie turke në vend, që do të operojë në tregun e telefonisë fikse dhe atë celulare, pritet të sjellë dhe ulje të tarifave të shërbimit celular, duke iu bërë konkurrencë dy kompanive të tjera, që deri më sot kanë patur tarifa shumë pranë njëra-tjetrës.

IMI, dy vlerësime të ndryshme në 1 vit

IMI, kompania e konsulencës pranë qeverisë për privatizimet strategjike, ka dorëzuar raportin e vet për vlerësimin teknik dhe financiar të Albtelekomit. Duket se nga të dhënat e para, të cilat janë pranuar dhe nga ministri Angjeli, vlerësimi i fundit i ka dhënë Albtelekomit një vlerë prej 90 milionë eurosh, duke treguar kështu, në mënyrë indirekte, se shtrirja prej 120 milionë euro ka qenë e suksesshme. Vlerësimi financiar i IMI-it, i dorëzuar në protokollin e ministrisë, do të diskutohet në komisionin e transparencës së privatizimit, dhe pas këtij hapi qeveria pritet të vulosë përfundimisht kalimin e konsorciumit turk.

Ndërkaq, në fillim të procesit të privatizimit, IMI Group pas auditimit që i ka bërë aseteve të kompanisë, ka arritur në përfundimin se kompania vlen për 110 milionë euro. Shifra, ndonëse jo në formë zyrtare, u përmend para gati një viti në Sarandë, kur u mbajt edhe një konferencë e madhe, e cila lançoi fillimin e procesit të shitjes së Albtelekomit dhe të ARMO-s. Ndërkaq për sindikatat, vlera e Albtelekomit shkon edhe më shumë se 110 milionë euro dhe, sipas vlerësimit të tyre, Albtelekom ka një vlerë prej 180 milionë euro. Sipas tyre, totali i investimeve që nga viti 1993 deri në fund të 2004-ës, është 160 milionë euro. Për sindikatat, vlerësimi i fundit nuk është real dhe ato justifikojnë raportin, duke kujtuar faktin e thjeshtë se, konsulenti do të meritojë në bazë të ligjit për privatizimet strategjike 10 për qind të vlerës së shitjes. Kështu, duket se IMI meriton për konsulencën e vet 1.2 milionë euro në fund të procesit, kur qeveria shqiptare të arkëtojë paratë e Albtelekomit.

Situata financiare e Albtelekom

Gjatë 2004-ës, Albtelekomi realizoi një fitim bruto prej rreth 2.2 miliardë lekësh. Të ardhurat totale ishin rreth 13.5 miliardë lekë. Rezultatet më të mira financiare, kjo kompani i ka arritur në vitin 1999, ku realizoi një fitim bruto prej rreth 4.5 miliardë lekësh. Më pas, gjatë viteve, treguesit kanë ardhur duke u keqësuar. Në vitin 2002-2003, kompania ka dalë me humbje, për shkak të rritjes së jashtëzakonshme të shpenzimeve. Ndërkaq numri i abonentëve të Albtelekomit është aktualisht rreth 265 mijë, ndërkohë që kërkesa e tregut llogaritet në rreth 400 mijë. Kërkesa potenciale është shumë më e madhe, po të kihet parasysh fakti se numri i familjeve në Shqipëri është aktualisht rreth 700 mijë. Oferta prej 120 milionë euro për 76 për qind të aksioneve të Albtelekomit, është me të vërtetë shumë e ulët, po të merret parasysh se kjo kompani zotëron edhe licensën për operatorin e tretë të telefonisë celulare.

2.2 miliardë lekë

fitimi në 2004

265 mijë

abonentë

120 milionë euro

vlera e licencës

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›