E Diel, 1 Nëntor 2026

Fitojnë ekipet angleze, Reali triumfon në Rusi

 

Eshtë momenti i ekipeve angleze. Ai që kishte ndonjë dyshim pas finales së vjetshme mes Çelsit dhe Arsenalit, e ka shuar atë mbrëmë, në ndeshjet e dyta në grupe të Champions League. Ndërsa skuadrat e tjera kanë vuajtur shumë, si Mançesteri, ashtu edhe Arsenali, kanë arritur të triumfojnë lehtësisht ndaj rivalëve si Porto e Alborg. "Djajtë e Kuq" nuk kanë hasur asnjë vështirësi në Danimarkë, ku goli i Uejn Runit dhe dopieta e Dimitar Berbatov, i dhanë fitoren e parë në këtë edicion të Ligës së Kampioneve. Po në këtë grup, Vilareali arriti të fitonte minimalisht 1-0 ndaj Sëlltikut, në një ndeshje që skuadra vendase e ka dominuar. Por, goli ka ardhur vetëm çerek ore para përfundimit me një goditje dënimi të Markos Senës. Një fitore të madhe mori edhe Arsenali, që në fushën e vet mposhti 4-0 Porton. Dy gola nga Van Persi dhe dy nga Adebajor, vulosën këtë takim.
Juventusi
Në Bjellorusi, Juventusi ka rrezikuar jo pak mbrëmë, teksa në fund ka marrë një barazim të vuajtur në shifrat 2-2. Bardhezinjtë janë gjendur shumë shpejt në disavantazh, pas golave të shënuar nga Krivets dhe Staseviç. Por, Iakuinta realizoi dy herë në minutat 29' dhe 45', duke kthyer gjithçka në barazpeshë. Një lojë e shkëlqyer edhe nga Xhovinko, autor i dy pasimeve të arta. Pavarësisht presionit në pjesën e dytë, Juve nuk ka mundur të marrë fitoren. Barazimi e çon skuadrën e Ranierit në kuotën e 4 pikëve në grupin H, 2 më pak se Reali i Madridit.
Reali
Reali i Madridit iu është rikthyer fitoreve në transfertë pas dy vjetësh, duke mposhtur në San Petërsburg Zenitin, fituesen në fuqi të Kupës UEFA. Skuadra e drejtuar nga Bernd Shuster ka vazhduar formën e mirë që ka treguar edhe në kampionat, duke u ngjitur në krye të grupit H me 6 pikë pas dy ndeshjesh. Hubokan realizoi në portën e tij pas 4 minutash lojë, por portugezi Dani barazoi në minutën e 25-të. Festa në stadium ka zgjatur vetëm pak minuta, pasi Rud Van Nistelroi ka kaluar Realin në avantazh. Deri në fund nuk ka ndryshuar asgjë, pavarësisht sulmeve të vazhdueshme të Zenitit. Një fitore tepër e rëndësishme për madrilenët, të cilët nuk fitonin në transfertë që prej takimit me Steauan e Bukureshtit në tetor 2006.
Surprizat
Përveç Juventusit, një tjetër surprizë në ndeshjet e mbrëmshme ishte barazimi pa gola i Fenerbahçes në fushën e saj përballë Dinamos së Kievit. Ekipi turk nuk po kalon një formë të mirë si në kampionat ashtu edhe në Champions League dhe një gjë e tillë u vërtetua edhe mbrëmë. Ndërkohë, Fiorentina nuk ka mundur të fitojë ndaj Steauas së Bukureshtit, pavarësisht një presioni të madh në portën e rumunëve. Adrian Mutu është ndalur nga shtylla, ndërsa Xhilardino ka qenë i pafat në disa momente. Ndërkohë, barazim 1-1 edhe në sfidën e luajtur në "Allianz Arena" mes Bajernit dhe Lionit. Autogolit të Demikelit në pjesën e parë i është përgjigjur Ze Roberto, por Bajerni humbi dhjetëra raste për ta fituar këtë takim.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›