Tadiç: Serbia në zgjedhje të parakohshme më 11 maj
• Serbia do të votojë më 11 maj për të zgjedhur qeverinë e re. Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, shpërndau dje Kuvendin dhe caktoi zgjedhjet e reja më 11 maj.Këtë vendim Tadiç e ka bërë në bazë të propozimit të qeverisë së Serbisë. "Zgjedhjet janë rruga demokratike për qytetarët që të përcaktojnë se si duhet të zhvillohet Serbia në vitet që vijnë". Ai tha se zgjedhjet duhet të ofrojnë "një mundësi të re për ta forcuar perspektivën ekonomike përmes procesit të integrimit evropian". Ndërkohë, kryeministri në largim Vojisllav Koshtunica ka thënë se, "është ekstremisht e rëndësishme që qytetarët të vendosin dhe të zgjedhin një qeveri të përgje-gjshme, e cila do të ketë fuqinë që të luftojë për të ruajtur Kosovën". Qeveria e re do të duhet "të negociojë me BE-në që të hyjë i tërë vendi në Evropë", me Kosovën si pjesë të saj, ka thënë Koshtunica. Presidenti Tadiç dhe Kryeministri Koshtunica kanë pasur mosmarrëveshje lidhur me drejtimin që duhet të marrë Serbia në të ardhmen. Që të dy këmbëngulin që Kosova duhet të mbetet pjesë e Serbisë, por Tadiç, ndryshe nga kryeministri, nuk pranon ta përdorë shkëputjen e Kosovës nga Serbia, si arsye për të kundërshtuar përpjekjet për krijimin e lidhjeve më të ngushta me Bashkimin Evropian. Shtetet e Bashkuara dhe një pjesë e mirë e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.