Shqiptarët tërhiqen nga qeveria, Shkupi në krizë
• Maqedonia po i afrohet krizës politike në momentin më të papërshtatshëm. Vetëm më pak se 20 ditë nga Samiti i NATO-s, përveç problemit të emrit me Greqinë, tani Shkupit i duhet të zgjidhë edhe problemet e brendshme politike.Shkak për krizën është bërë tërheqja e partisë së Thaçit nga qeveria maqedonase.Kuvendi i PDSH miratoi dje në mbrëmje propozimin e kryetarit Menduh Thaçi, për largimin nga qeveria e koalicionit. PDSH është në qeverinë e Nikolla Gruevskit që nga vjeshta e vitit 2006. PDSH-ja i kishte paraqitur Kryeministrit Gruevski gjashtë kërkesa dhe, pasi ky i fundit i kishte injoruar ato për disa ditë, PDSH vendosi të largohet nga qeveria. Thaçi u shpreh se është i vetëdijshëm që një vendim i tillë i partisë së tij thellon krizën politike në Maqedoni. Sipas tij, Kryeministri Gruevski është duke përgatitur krijimin e një koalicioni qeveritar me Partinë e Bashkimit Demokratik për Integrim.Presidenti i Maqedonisë tha dje se vendi ndodhet në krizë serioze politike pas vendimit të kryesisë së Partisë Demokratike Shqiptare që të largohet nga qeveria. Branko Cërvenkovski tha se situata duhet të tejkalohet sa më shpejt. "Kemi një krizë serioze politike. Kjo ndodh në kohën më të papërshtatshme për vendin tonë, 20 ditë para Samitit të Bukureshtit, ku presim të marrim ftesë për në NATO, dhe në fazën më të ndjeshme të negociatave rreth emrit me Greqinë. Kjo situatë është e papranueshme dhe duhet ta tejkalohet. Ne duhet të fokusohemi në çështjen kryesore, në Samitin e NATO-s dhe si të marrim ftesën". Shtetet e Bashkuara këshilluan dje se tani nuk është koha për luftëra të brendshme politike. "Udhëheqësit politikë të Maqedonisë duhet t'i fokusojnë energjitë e tyre për t'u anëtarësuar në NATO në këtë kohë kritike", thuhet në deklaratën e ambasadës amerikane në Shkup."Maqedonia ka një mundësi të artë që të marrë ftesë për në NATO, pas përpjekjeve për reforma serioze dhe të suksesshme". Nga ana tjetër, ambasada nënvizoi faktin se akoma "mosmarrëveshja për emrin me Greqinë mbetet si pengesë". I dërguari i Bashkimit Evropian në Shkup, Ervan Fuere, shfaqi shpresën se "problemet aktuale do të zgjidhen dhe qeveria do të ecë përpara në frymën e konsensusit". Fuere shtoi se PDSH-ja duhet të mendojë dy herë për të ardhmen e Maqedonisë përpara se të largohet nga qeveria.Por kreu i PDSH-së insiston. Duke pranuar efektet e këtij veprimi, ai tha se kriza politike mund të jetë me pasoja dhe për marrëdhëniet ndër-etnike në vend. Ndërkohë, partia shqiptare e opozitës, Bashkimi Demokratik për Integrim ka hedhur poshtë zërat se do të hyjë në kabinetin Gruevski. Kjo parti ka paralajmëruar se pas Samitit të Bukureshtit do të kërkojë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.Berisha: Ka vullnet për emrinKryeministri Sali Berisha ka deklaruar dje nga Brukseli se Maqedonia dhe Greqia kanë vullnet për të zgjidhur çështjen e emrit mes tyre. I ndodhur në samitin e Partive Popullore Evropaine, kreu i qeverisë shqiptare tha se konstaton ekzistencën e vullnetit të duhur për të negociuar seriozisht ndërmjet palëve (Maqedonisë dhe Greqisë). "Shpresojmë, u shpreh Kryeministri, që kjo çështje dypalëshe të marrë zgjidhje përfundimtare në interesin më të mirë të të dy vendeve". Në vazhdim Kryeministri tha se deri tani nuk ka pengesa për anëtarësimin e vendeve të Kartës së Adriatikut në NATO.Kërkesat e PDSHPDSH i ka propozuar Kryeministrit Nikolla Gruevski që t'i përgjigjet pozitivisht kërkesave për një ligj mbi përdorimin e gjuhës shqipe, të zgjidhet statusi i ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, të njihet sa më parë pavarësia e Kosovës, të miratohet një ligj i ri për flamurin, të shtohet numri i shqiptarëve në administratë si dhe të mbyllen katër rastet, të cilat Gjykata e Hagës ia ktheu organeve maqedonase të drejtësisë dhe që kanë të bëjnë me konfliktin e vitit 2001.