Celulari i katërt, në dorë të kompanive shqiptare
Dy kompani janë zyrtarisht në garë për të marrë licencën e operatorit të katërt celular në Shqipëri. Tenderi i zhvilluar dje nxori në dritë kompanitë e interesuara, të cilat ofruan një çmim deri në 7.5 milionë euro. Një prej tyre ishte UNIVERS PG kompani shqiptare me partnere kompaninë afrikane TELMAR, e cila ofroi 5 milionë euro, ndërsa kompania e dytë ishte Post Telekomunikacioni i Kosovës me partnere ACI. Kjo kompani ofroi 7 milionë e 200 mijë euro. Komisioni i shqyrtimit të ofertave ka bërë vetëm leximin e dokumentacionit. Në këtë mënyrë, sido që të dalë rezultati, për herë të parë një kompani shqiptare do të ketë shansin të jetë pronarja e një kompanie celulare, kur tre të tjerat janë turke (Eagle Mobile), gjermane (AMC) dhe angleze (Vodafone). Vendimi për fituesin do të merret pas shqyrtimit të ofertave përkatëse. Sipas drejtorit të Autoritetit të Komunikimit Elektronik dhe Postar, kompania fituese e tenderit për të qenë operatori i katërt celular në vend duhet të jetë një kompani me përvojë të gjatë në fushën e telekomunikacionit, duhet të ofrojë mbulim gjeografik të gjerë dhe duhet të ofrojë tarifa komunikimi më të ulëta se operatorët ekzistues në treg.