Qeveria kërkon ndihmën e donatorëve për SME-të
Qeveria kërkon më shumë fonde nga donatorët në mënyrë që të rrisë nivelin e investimeve për disa sektorë prioritarë, siç janë Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme-SME. Takimi i radhës, i zhvilluar dje nga Ministria e Ekonomisë dhe Bashkëpunimi Italian për Zhvillimin, mblodhi në një tryezë donatorët më të mëdhenj që ushtrojnë aktivitet në Shqipërisë, si USAID, BB, BERZH, KE, etj. I pranishëm në takim, zëvendësministri Eno Bozdo, tërhoqi vëmendjen për rritje të investimeve ndaj SME-ve, zhvillimi i të cilave jep kontribut në ecurinë ekonomike të vendit, duke qenë se 90 për qind e biznesit përbëhet nga kjo kategori. Fondet e donatorëve për sektorë të ndryshëm po reduktohen gradualisht çdo vit, në një kohë që kriza ekonomike kërkon një vëmendje më të madhe ndaj SME-ve. Duke përmendur rolin e Bashkëpunimit Italian për Zhvillim, projekti i të cilit synon rritjen e kreditimit për biznesin me fond rreth 30 milionë euro, zëvendësministri tha se, "ne e ndjejmë të nevojshëm ndihmën dhe suportin tuaj, veçanërisht për financimin e projekteve që nxitin inovacionin dhe transferimin e teknologjive për SME-të". Së shpejti, edhe USAID do të paraqesë një projekt 5-vjeçar për SME-të.