E Shtunë, 31 Tetor 2026

ZRPP-ja, 800 dosje për verifikim

19/04/2009  Në total që prej tetorit janë rreth 3 mijë dosje që presin vendim

Shtohen çdo javë ankesat në komisionin vendor

Shtohen kërkesat për verifikim të titullit të pronësisë në komisionin vendor pranë prefekturës së Tiranës. Deri më tani ende nuk ka ndonjë vendim, ndërsa janë rreth 3 mijë dosje për shqyrtim të aktit të marrjes së tokës në pronësi, si dhe 831 dosje me ankesa dhe kërkesa për pronën. Zyra e regjistrimit të pasurive ka përcjellë për verifikim plot 784 dosje për aktet e marrjes së pronës në pronësi, numër ky që rritet çdo javë. Specialistët e këtij komisioni që prej tetorit të vitit të kaluar kanë grumbulluar kërkesat nga institucionet shtetërore dhe nga qytetarët. Vendimi i qeverisë doli vetëm në muajin shkurt të këtij viti, por më pas u pezullua dhe u saktësua në disa pika. Sipas informacionit që disponon prefektura, zonat më problematike janë ato pranë bregdetit të Kavajës, si dhe në rrethinat e kryeqytetit. Sa i përket kërkesave janë 20 dosje për pajisje me tokë, 2 ankesa nga ish-pronarët dhe 13 mbivendosje pasurish.

Verifikimi

Pronësia në zonat turistike, por edhe në zonat pranë kryeqytetit mbart një fazë të vështirë të zgjidhjes së problematikës. Bëhet fjalë për komunat rreth Tiranës, bashkia e Rrogozhinës, Luzi i Vogël dhe Synej. Verifikimet do të nisin nga këto zona, por gjithashtu edhe në Kashar, Kamzë, Farkë, ku ka problematika të mbartura. Po kështu, në zonën e Dajtit, një pjesë e territorit, që i përket pjesës së ish-uzinës së traktorëve do të verifikohet. Bëhet fjalë për një kaos 15-vjeçar që me anën e këtij ligji synohet të vihet në normalitet. Ligji parashikon që aktet e marrjes së tokës në pronësi në zonat që kanë qenë kooperativa bujqësore, si dhe tokat që janë me përparësi turizmi të rishikohen një për një.

Tre formularë

Për realizimin e verifikimeve të ndarjes së sipërfaqeve me vendimin e Këshillit të Ministrave është miratuar tapia e re që do të përdoret për të gjitha vendimet që do të japë Komisioni i Verifikimit të Titujve të Pronësisë. Në vendimin e Qeverisë është saktësuar në mënyrë të qartë forma e llogaritjes së re të tokës së fituar pas vitit 1991, si dhe dokumenti që do të lëshohet për t’u regjistruar në hipotekë. Në Fletoren Zyrtare tashmë janë saktësuar 3 formularë, që do të plotësohen prej komisionit vendor, të cilët ndahen në të dhënat e tokës që hiqet ose shtohet, deri në vendimin për kalim regjistrimin në hipoteka.

Personeli

Vonesat e krijuara deri tani kanë pasur si shkak mungesën e komisionerëve dhe të akteve nënligjore. “Qysh tani po e ndjejmë nevojën e shtesës së numrit të punonjësve, sepse ka shumë praktika që duhen ndjekur. Në të gjitha vendimet tona që do të merren pasi të plotësohemi komplet me bazën e duhur ligjore, i cili na saktëson shumë procedura që do të ndjekim, ne parashikojmë që një palë do të jetë gjithnjë e pakënaqur”, - është shprehur pak kohë më parë Ruzhdi Keçi, prefekti i Tiranës. Nëse këto vendime të komisioneve do të zhvlerësojnë një titull pronësie dhe ta zëvendësojnë me një titull tjetër pronësie, atëherë ZRPP-ja është e detyruar të bëjë ndryshimet përkatëse. Vendimet e komisioneve të verifikimit të tokave do të jenë si për dhënien në pronësi të sipërfaqeve, ashtu dhe për heqjen e kësaj të drejte.

Komisionet

Komisionet vendore për Vlerësimin e Titujve të Pronësisë kanë nisur të funksionojnë prej muajit tetor të vitit të kaluar. Që prej asaj kohe këto komisione kanë pritur vetëm ankesat dhe kërkesat e qytetarëve. Ligji ka përcaktuar që brenda tre vjetëve të mbyllet ky proces i verifikimit. Të gjitha sipërfaqet fizike, por edhe ato që do të zhdëmtohen me vlera monetare do të kalojnë për llogari të ish-pronarëve të vjetër. Komisioni vendor i kërkon zyrës së hipotekës konfirmimin e gjendjes juridike aktuale të pronësisë, për ngastrën apo ngastrat dhe në bazë të dokumentacionit të krijuar pranë tij, vendos për korrigjimin ose jo të tapisë.

Ministria e Financave

Shehu: Shqipëria nuk ka

nevojë për hua nga FMN-ja

Qeveria nuk do të marrë para nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Sugjerimit të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, një ditë më parë, për të konsideruar një mbështetje nga fondi i njëzet vendeve të zhvilluara, zëvendësministri i Financave Sherefedin Shehu, ju përgjigj se kjo mund të ndodhë vetëm në rast se vendi do të ketë nevojë. “Që të bashkëpunosh me FMN-në duhet të kesh marrëveshje me të dhe ne momentalisht nuk jemi në marrëveshje. Por kjo nuk do të thotë se në rast se situata do të jetë e tillë që do të kemi nevojë për atë mbështetje të mos shkojmë dhe të bashkëpunojmë me Fondin Monetar Ndërkombëtar edhe me gjithë të tjerët, përfshi Bankën Botërore”, - tha Shehu. Sipas zëvendësministrit, qeveria është në bisedime me BB-në, me një program mbështetjeje, që quhet huaja për politikat e zhvillimit. “Natyrisht kjo është faza e parë. Të shpresojmë që nuk do të kemi nevojë, pasi nëse do të gjendemi në një situatë patjetër që do e konsiderojmë pozitivisht”, - theksoi Shehu. Mungesa e likuiditetit në treg, sipas Bankës së Shqipërisë, duhet të zgjidhet në tregun e huaj. “Shtrëngimi i kushteve financiare në ekonomi, pamjaftueshmëria e burimeve të brendshme dhe problemet e tregut financiar ndërkombëtar, e bëjnë të nevojshme gjetjen e burimeve të huaja të financimit. Duhet vlerësuar çdo opsion i mundshëm, përfshirë dhe programet e mbështetjes nga institucionet ndërkombëtare të specializuara. Banka e Shqipërisë gjykon se Shqipëria duhet të përfitojë medoemos nga fondi ndërkombëtar i krijuar nga mbledhja e njëzet vendeve më të zhvilluara, pasi ajo plotëson të gjitha kushtet”, - deklaroi Guvernatori.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›