Numërimi për komunën Shalë, KQZ vendos që kutitë e votimit të përcillen drejt Tiranës

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve mori sot vendimin që votat për komunën Shalë të qarkut të Shkodrës të numërohen në Tiranë. Edhe pas kundërshtimeve të nënkryetares Dëshira Subashi se votat nuk duhet të numërohen në KQZ por në KZAZ-në 42 në Shkodër, anëtarët e mazhorancës votuan “pro” dërgimit të kutive në ambientet e këtij institucioni. Kreu i KQZ-së Arben Ristani ka theksuar se kutitë e votimit të komunës Shalë së bashku me bazën materiale të KZAZ 42 të qarkut të Shkodrës t’u dorëzohen punonjësve të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve. Ai ka theksuar se vula e KZAZ-së 42 do të administratohet nga nënkryetari i këtij komisioni në mungesë së kryetarit. Sipas Ristanit kutitë e votimit përveçse nga përfaqësuesit e KQZ-së do të shoqërohen deri në Tiranë edhe nga forcat e rendit. Procesi i numërimit për të zgjedhur kryetarin e kësaj komune është bllokuar, si pasojë e një mosmarrëveshje mes përfaqësuesve të dy kampeve politike. Ndërkohë ditën e dielë u zhvilluan zgjedhjet e pjesshme lokale për komunën Shalë të qarkut të Shkodrës ku kandidojnë përballë njëri- tjetrit Dedë Tonaj nga koalicioni “Aleanca për Qytetarin” dhe Bal Vuksani nga koalicioni “Aleanca për të Ardhmen”.
...