E Diel, 1 Nëntor 2026

Cenimi i lirisë së medies, 134 gazetarë nënshkruajnë një peticion publik

Autori i Lajmit: Redaksia
Në gazetarët shqiptarë të poshtëshënuar; të shqetësuar nga përkeqësimi në rritje i klimës për lirinë e shtypit në vendin tonë, të alarmuar nga thirrjet publike të përfaqësuesve të shumicës në pushtet pro dhunës ndaj medies, të shokuar nga thirrje të pronarëve të medies pro-qeveritare për dhunim të gazetarëve, të indinjuar nga indiferenca e policisë në mosarrestimin e dhunuesve të gazetarit Mero Baze, dhe të ndier të injoruar nga qeveria shqiptare në përpjekjet tona për të shkuar drejt të vërtetave me interes publik, bashkohemi në këtë thirrje publike që synon nisjen e një aksioni të përbashkët për të vendosur standarde të reja për lirinë e shtypit në Shqipëri. Nisur nga fakti që Shqipëria tani është vend anëtar i NATO-s dhe ka aplikuar për tu anëtarësuar në Bashkimin Evropian, ne gazetarët shqiptarë shprehim angazhimin tonë për të rritur presionin mbi qeverinë, parlamentin dhe opinion publik, lidhur me standardet e ulëta të lirisë së shtypit në vendin tonë. Shqipëria ka bërë hapa të theksuara mbrapa në klasifikimin botëror të lirisë së shtypit gjatë vitit që shkoi, ndërkohë që ngjarje të reja e bëjnë dhe më pesimiste të ardhmen e lirisë së shtypit.

Gazetarët shqiptarë po ndeshen përditë me një regjim politiko – mediatik, ku mbizotëron përpjekja për të mbajtur nën kontroll me të gjitha mjetet fjalën e lirë dhe gazetarinë kritike e investigative. Gazetarët shqiptarë janë ndeshur gjatë kohëve të fundit me dhunë fizike , me presione për ndryshim të politikës editoriale përmes paralajmërimeve apo dorëheqjeve të detyruara të gazetarëve të njohur, me qëndrime selektive të qeverisë në orientimin e tregut të reklamave për operatorët televizivë dhe shtypin e shkruar, dhe me një inkurajm të dukshëm të shumicës në pushtet për gjuhën e urretjes ndaj gazetarëve kritikë apo dhe dhunën fizike ndaj tyre. Në shumicën e rasteve këto fushata janë udhëhequr nga vetë kryeministri Berisha, i cili ka agresuar me emër dhe ka fyer gazetarë të njohur të medias shqiptare për shkak të qëndrime të tyre editoriale. Qëndrime të tilla ne i kemi parë si inkurajim dhe për akte të tjera të dhunës mbi gazetarët, të cilat qeveria ka bërë përpjekje ti justifikojë duke fajësuar median. Po ashtu shqetësuese kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë presionet mbi bizneset e medias kritike me qeverinë, të cilat janë shfaqur në formën e prishjes së kontratave afatgjate të investimeve, zhvendosjen së dhunshme të selive të redaksive dhe studiove televizive kritike me qeverinë si dhe prishje arbitrare të antenave të televizioneve që nuk konsiderohen nën kontroll të qeverisë. Ne kërkojmë sa më shpejt të jetë e mundur të fillojë procesi i hartimit të një ligji perëndimor për shtypin, sipas gjithë standarteve të Bashkimit Evropian , ku të garantohet statusi i gazetarit dhe t’i garantohet atij e drejta për informim dhe akses të pakushtëzuar në infomacionin zyrtar. Në kushtet e një shoqërie me probleme të forta të lidhjes së politikës me krimin dhe nivelit të lartë të korrupsionin, ne inkurajojmë një ligj i cili në rastet e ballafaqimit të gazetarëve me personat e prekur, të kalojë barrën e provës tek organet e hetimit, të cilat duhet të provojnë përmes mekanizmave të hetimit të vërtetë mbi problemet e ngritura nga media. Kjo do t’i jepte fund instalimit të një sistemi vetëgjyqësie që qeveria duket se po inkurajon përmes shmangies së kuadrit ligjor për median dhe mbylljen e cdo aksesi për informacion zyrtar tek media. Ne gazetarët shqiparë angazhohemi për ndërtimin sa më të shpejt të një sistemi vetërregulles të institucioneve të medias, duke inkurajuar krijimin e një organizate ombrellë që të përfaqësojë gazetarët shqiptarë në debatin e tyre publik për lirinë e medias dhe vendosjen e standateve të denja për një vend që aspiron të anëtarësohet në Bashkimin Eropian. Ky sistem nuk do të vetëkufizohet vetëm në organizata sindikaliste, por mbi të gjitha, në një organizatë që mbron parimet e lirisë së shtypit dhe standartet e etikën e një shtypi perëndimor. Ne gazetarët shqiptarë angazhohemi se do të vazhdojmë të luftojmë për një cilësi të re të shtypit në Shqipëri dhe lirisë së fjalës, e cila po vihet në rrezik nga këta hapa të dukshëm mbrapa që po bën liria e shtypit në këtë vend. Ne gazetarët shqiptarë kërkojmë mbështetje të organizmave ndërkombëtare si Bashkimi Evropian, OSBE, Departamenti Amerikan i Shtetit, si dhe institucioneve prestigjioze ndërkombëtare për lirinë e medies si Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve, Komiteti për Mbrojtje të Gazetarëve , Organizatës Reporterë pa kufij, për të na mbështetur dhe ndihmuar në përpjekjet tona për mbrojtjen e lirisë së shtypit në Shqipëri dhe arritjen e standardeve perëndimore. Ne gazetarët shqiptarë i bëjmë thirrje qeverisë shqiptare të reflektojë në kursin e saj negativ ndaj lirisë së medies dhe në imitimin e keq të standardeve të Republikave ish-sovjektike për një vend që kërkon t’i bashkohet Perëndimit. Ky lajm është publikuar: 08/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›