Censusi, “AK”: Ndez tensionet në komunitetet fetare
“Aleanca Kuq e Zi”, nga qyteti i Beratit ka protestuar për regjistrimin e popullsisë, duke kërkuar grisjen e pyetjeve për etninë dhe fenë në formularin e regjistrimit. Kreshnik Spahiu, ka ritheksuar se “Aleanca Kuq e Zi”, është kundër regjistrimit të popullsisë mbi baza etnike dhe fetare.
Gjatë fjalës së tij përpara banorëve të Beratit, ai është shprehur me tone të ashpra në lidhje me këtë regjistrim, duke e cilësuar si një nga vendimet më të këqija të marra në vendin tonë.
Përfaqësuesit e “Aleancës Kuq e Zi”, kanë deklaruar se formulari i regjistrimit ndez tensionet në komunitetet fetare. Po ashtu ata kanë kërkuar që qeveria të zbardhë bisedimet me Greqinë.
“Jemi pro regjistrimit por pa pyetje për etninë. Të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Grisni pyetjet për etninë dhe fenë në formular. Berati është shembull i bashkëjetesës ndërfetare”, deklarojnë përfaqësuesit e Aleancës Kuq e Zi.
Pak ditë më parë, Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar ligjin e gjendjes civile, që përcakton nocionet e kombësisë së qytetarëve dhe procedurat e ndryshimit të saj.
Në një vendim që u mor me 6 vota pro dhe 2 kundër gjykata kushtetuese e ka cilësuar si antikushtetues një ligj të tillë. Gjykatat e rretheve Sarandë, Shkodër dhe Përmet kërkuan prej anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese shpalljen si të papajtueshëm me nenet 19 e 20 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë të termit "kombësia" të ligjit "Për gjendjen civile”.