E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmirësohet gjendja e shëndetësore e Leka Zogut

SHKRUAN: Jonida Tashi 18-11-2011 16:34

Ministria e Shëndetësisë: Gjendja ka qenë e mirë edhe në mbrëmje, me parametra që përmirësohen dhe të qëndrueshëm. Neurologu Mentor Petrela: Është më mirë, në krahasim me kohën kur është paraqitur në spital. Leka Zogu nuk ka kaluar asnjëherë gjendje kome, ka qenë i kthjellët gjatë gjithë kohës

Sëmundja e trashëgimtarit të fronit mbretëror, Leka Zogu, ka ngritur në këmbë të gjithë krerët e mjekësisë, por edhe të shtetit. Ndonëse nuk ishin shqetësime të befta, pasi prej kohësh Leka Zogu ka pasur probleme me rrugët e frymëmarrjes dhe zemrën, gjendja shëndetësore me të cilën ai është shtruar me urgjencë në Spitalin Numër 5, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ka qenë e rëndë. Por, dy ditë pas qëndrimit në Shërbimin e Neurokirurgjisë, që drejtohet nga neurologu i njohur Mentor Petrela, që është edhe mjeku primar që po ndjek nga afër gjendjen shëndetësore të Leka Zogut, janë vënë re përmirësime. Shëndeti i tij ka filluar të shfaqë shenja përmirësimi që gjatë agimit të ditës së enjte, që kanë vijuar të jenë të tilla edhe në mbrëmje. Burime zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë konfirmuan në orët e vona të mbrëmjes së djeshme se “Gjendja ka qenë e mirë edhe tani në darkë, me parametra që përmirësohen dhe të qëndrueshëm”. Ndërkohë që më herët, gjatë paradites, mjeku Mentor Petrela ka bërë të ditur se gjendja e tij shëndetësore është më e mirë se dy ditë më parë, dhe se Leka Zogu nuk ka qenë asnjëherë në gjendje kome. Shefi i Shërbimit të Neurokirurgjisë, Mentor Petrela, që ka mbikëqyrur shëndetin e trashëgimtarit mbretëror shpjegon se ai ka një patologji komplekse që i ka prekur zemrën dhe mushkëritë. Sipas prof. Petrelës, pacienti ka disa lloje të diagnozave, ose e thënë ndryshe multisistemike, të cilat kanë rënduar gjendjen e tij, ndërkohë që gjatë ditës së djeshme situata është përmirësuar. “Mbreti ka një sëmundje që quhet multisistemike. Pra janë disa sisteme që janë të interesuara dhe që kanë sjellë një vuajtje, dhe për këtë arsye u shtrua në reanimacionin tonë. Aktualisht gjendja shëndetësore e tij është më e mirë, në krahasim me kohën kur është paraqitur në spital. Situata është më e mirë, ka një vuajtje multisistemike të disa organeve. Ajo që dua të theksoj është se Leka Zogu nuk ka kaluar asnjëherë gjendje kome, ka qenë i kthjellët gjatë gjithë kohës. Kjo është një situatë e cila vjen pas një vuajtjeje graduale, pra sistemet kanë vuajtur gradualisht dhe nuk është një gjendje e ardhur në mënyrë akute. Mbreti ka qenë gjatë gjithë kohës koherent, i vetëdijshëm, i përgjegjshëm në të gjithë kapacitetet e tij”, - sqaron neurologu Mentor Petrela. Leka Zogu është shtruar në spital rreth orës 17.00 të së martës, pasi kishte kaluar fibrilacion atrial. Sipas mjekut Mentor Petrela, lartmadhëria e tij po mjekohet për vuajtje multisistemike, ku mbizotëron vuajtja e zemrës dhe mushkërive. Aktualisht, Lega Zogu po qëndron nën monitorimin e mjekëve, dhe nuk ka ende një parashikim nga bluzat e bardha se sa kohë ai do të qëndrojë në spital dhe kur pritet të dalë prej tij. Mësohet se drejtues të Ministrisë së Shëndetësisë po mbikëqyrin nga afër gjendjen e tij shëndetësore, duke qenë në gatishmëri, nëse do të vendoset transportimi për mjekim jashtë Shqipërisë. Leka Zogu prej kohësh ka pasur probleme me mushkëritë dhe zemrën, por para se të paraqitej në spital ai ka qenë në gjendje të mirë shëndetësore.

Çfarë është fibrilacioni atrial

Fibrilacioni atrial është forma më e zakonshme e aritmisë që prek shumë persona. Fibrilacioni atrial është më i zakonshëm tek të moshuarit, personat me presion të lartë të gjakut, dhe persona me sëmundje të tjera të zemrës. Mund të çojë në probleme serioze të shëndetit, siç janë: infarkti, këputje dhe insuficiencë kardiake. Fibrilacioni atrial ndodh kur impulset elektrike që bëjnë që zemra të rrahë në mënyrë të rregullt, të bëhen të çorganizuar dhe zemra të rrahë në mënyrë të çrregullt ose shpesh shumë shpejt dhe me pak forcë. Pulsi i çrregullt mund të ndihet ose mund të shihet në një elektrokardiogramë. Fibrilacioni atrial ul efikasitetin e pompimit të zemrës. Gjithashtu rrit rrezikun për mpiksjen e gjakut brenda në zemër. Copëza gjaku të mpiksura mund të shkëputen dhe të shkojnë në zona të tjera të trupit, përfshirë këtu trurin ku mund të shkaktojnë infarkt.

Petrela: Kjo është një situatë e cila vjen pas një vuajtjeje graduale, pra sistemet kanë vuajtur gradualisht dhe nuk është një gjendje e ardhur në mënyrë akute

Vizitat në spital

Berisha: Qeveria do të japë çdo lloj mbështetjeje

Kryeministri Berisha vizitoi paraditen e djeshme Leka Zogun, i cili prej tri ditësh ndodhet në trajtim intensiv në repartin e reanimacionit të spitalit të Neurologjisë, në QSUT. Kryeministri Berisha, pasi u njoh nga ekipi i mjekëve për gjendjen shëndetësore dhe ecurinë e trajtimit intensiv, pati një komunikim të shkurtër me Leka Zogun. Kryeministri i uroi shërim të shpejtë dhe e siguroi për mbështetjen e qeverisë për kapërcimin e gjendjes shëndetësore. Më pas, Kryeministri iu përgjigj interesimit të medias në lidhje me këtë vizitë: “Një gërshetim patologjie komplekse, por gjendja dhe parametrat në tërësi, siç më njofton ekipi që ndjek në mënyrë permanente Madhërinë e Tij Leka I, ka shenja të qarta përmirësimi. Ajo që mund të them është se komunikova shumë mirë me të, e gjeta optimist se do ta kapërcejë këtë situatë, uroj që të dalë sa më shpejt dhe shërim të shpejtë nga situata për të cilën erdhi në spital Madhëria e tij. Mjekët po bëjnë gjithçka. Qeveria është e vendosur të japë çdo lloj mbështetjeje, në mënyrë që të kapërcehet kjo situatë shëndetësore, të përmirësohet e të vazhdojë aktivitetin e tij”.

Topi: Kishte një komunikim të kthjellët

Edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi, vizitoi dje në mesditë Leka Zogun I. I shoqëruar në këtë vizitë nga anëtarë të kabinetit dhe drejtori i Shërbimit të Reanimacionit, Prof. Mentor Petrela, presidenti Topi, pasi u prit nga i biri, Leka Zogu II, u informua fillimisht mbi gjendjen shëndetësore të Leka Zogut I, duke shprehur njëkohësisht vlerësimet për përkujdesjen dhe përkushtimin e treguar nga i gjithë stafi mjekësor. Me këtë rast, presidenti Topi theksoi edhe para mediave të pranishme: “Sapo vizitova Leka Zogun I, natyrisht i preokupuar për shëndetin e tij, arrita që të komunikoj lirshëm me të. Pavarësisht gjendjes klinike, të cilën e ka përshkruar në buletinin mjekësor edhe profesor Petrela, ai kishte një komunikim të kthjellët. I urova shërim të shpejtë dhe nuk e teprova duke qëndruar më shumë, sepse gjendje të tilla patjetër që kërkojnë qetësi. Gjithsesi, komunikimi me të ishte i ngrohtë dhe do të thosha, atë që është shumë e rëndësishme në të tilla situata, shumë i kthjellët. Sipas profesor Petrelës, ajo gjendje e riakutizuar nga problemet shëndetësore, tani po ristabilizohet. Natyrisht i urova shërim të shpejtë dhe kthim në gjendjen e mëparshme!”.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›