Hapet spitali i ri në QSUT, urgjenca e re me 93 shtretër
Shërbim 24 orë për pacientët. Investimi për aparaturat mbi 8 milionë euro
Hapet spitali i ri në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, urgjenca e të cilit do të ketë 93 shtretër, duke i dhënë fund kështu vuajtjes së pacientëve në kërkim të një shtrati. Pas pesë viteve që nga nisja e punimeve, në QSUT ka nisur nga funksionimi spitali më i ri, që është një nga modernët në vend. Tashmë të gjitha analizat laboratorike në QSUT do të jenë të përqendruara në një godine të vetme, që është spitali i ri. Investimi për ndërtimin e spitalit të ri, që përfshin qendrën e re të urgjencave, është financuar nga Banka e Këshillit të Europës për Zhvillim (CEB) dhe qeveria shqiptare. CEB ka financuar 63% të komponentit të ndërtimit, në shumën 16 milionë euro, ndërsa pajisjet mjekësore që arrijnë vlerën prej 8.3 milionë euro janë financuar nga qeveria shqiptare. Qendra e Urgjencave nuk do të funksionoje si deri më tani, por do të mbledhë në një vend disa shërbime dhe të gjitha urgjencat e QSUT-së. Ky organizim është realizuar në mënyrë të tillë, pasi në qendrën e re moderne, në Departamentin e Radiologjisë, ekzistojnë 2 aparatura skaner, 1 rezonancë magnetike, 3 aparate për grafi dixhitale, 2 aparate fluroskop, 3 eko abdominale dhe 1 eko kardiake, duke mbuluar kështu të gjitha nevojat e spitalit “Nënë Tereza”. Për kryeministrin Sali Berisha qendra e re e urgjencës është një hap i madh përpara në modernizimin e shërbimit spitalor për qytetarët. “Reforma në shëndetësi mbetet qëllimi më madhor në të gjitha reformat e tjera, hapa shumë të rëndësishëm janë bërë dhe po shkojmë drejt një faze vendimtare të instalimit të sistemit të ri të financimit. Së shpejti nis zbatimi i një programi, i cili do të vendosë sistemin tonë shëndetësor tërësisht mbi bazat dixhitale, si një nga premisat më të rëndësishme për menaxhimin e suksesshëm të tij dhe të të gjitha burimeve”, - deklaroi Kryeministri gjatë fjalës së mbajtur në ceremoninë e inaugurimit të spitalit të ri. Qendra e re e urgjencës përbën vetëm realizimin e fazës së parë nga 5 gjithsej për modernizimin e gjithë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Në ndërtesën e re funksionojnë 93 shtretër, si dhe laboratorët e specializuar për të gjitha nevojat e spitalit, me shërbim 24 orësh. Punimet në mënyrë të detajuar përfshijnë objektin spitalor që do të shërbejë si Qendra e Urgjencave për të gjithë QSUT, godinën teknike për të gjitha infrastrukturat inxhinierike mbështetëse, si dhe rrugën periferike që lidh dy hyrjet e jashtme të qendrës spitalore bashkë me parkimin për automjetet.
Shërbimet që do të ofrohen
Shërbimet dhe departamentet që janë parashikuar të funksionojnë në objektin spitalor të ndërtuar në këtë fazë të parë janë të shpërndara si më poshtë:
Në katin nëntokë: Sterilizimi qendror, Departamenti i Radiologjisë dhe Diagnostikës Funksionale, duke mbuluar të gjitha nevojat e spitalit universitar. Në këtë shërbim do të funksionojnë 2 aparatura skaner, 1 rezonancë magnetike, 3 aparate për grafi dixhitale, 2 aparate fluroskop, 3 eko abdominale dhe 1 eko kardiake.
Në katin përdhe: Departamenti Qendror i Urgjencës për të gjithë spitalin universitar, duke përfshirë 18 shtretër subintensiv për observim të shkurtër.
Në katin e parë: Është planifikuar që të funksionojnë 60 shtretër, 30 shtretër janë me profil kirurgjikal dhe 30 shtretër mjekësi interne, që do të mbulojnë nevojat për një trajtim konservativ të rasteve të urgjencës, të cilat nuk kanë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale.
Në katin e dytë: Laboratorët e specializuar për të gjitha nevojat e spitalit, ai klinik biokimik dhe laboratori mikrobiologjik, me shërbim 24 orësh, si dhe njësia e reanimacionit me 15 shtretër .