E Diel, 1 Nëntor 2026

Censusi, nis me debate procesi, nuk përjashtohen as refuzimet

Afro 12 mijë anketues në të gjithë vendin kanë nisur dje regjistrimin. Pritet që ky proces të përfundojë deri më 21 tetor. Ja si do të përpunohen të dhënat e grumbulluara

TIRANË “Jemi përfaqësues të INSTAT-it dhe, nëse keni kohë, mund të plotësosh një formular”. Ditën e djeshme ka nisur procesi i regjistrimit në të gjithë vendin dhe kjo ka qenë fjalia me të cilën anketuesit i janë drejtuar familjarëve që ndodheshin në shtëpi në momentin kur ata trokisnin.

Regjistrimi

Afro 12 mijë regjistrues me një formular në dorë kanë trokitur derë më derë për të plotësuar të dhënat. Numri 39 dhe 40 mbajnë pyetjet për të cilat është bërë debat i ashpër, pikërisht pyetjet për fenë dhe etninë. Në rast se personi nuk plotëson mbi pesë pyetje nga ky formular, atëherë ai formular quhet i pavlefshëm. Censusi përfshin tri lista dhe një pyetësor individual me 40 pyetje, një pjesë e tyre nuk janë me detyrim. Për ta plotësuar duhen të paktën 30 minuta. Anketuesit në qytetin e Tiranës ditën e djeshme kanë hasur dhe në refuzimin e qytetarëve, të cilët nuk pranonin të hapnin derën. E po kështu ka pasur të tjerë që në mënyrë vullnetare nuk kanë pranuar t’u përgjigjen dy pikave për etninë dhe fenë. Në rastet kur anketuesi nuk do të gjejë njeri në shtëpi, atëherë ai lë një letër me një numër kontakti për të mësuar kohën se kur qytetari ndodhet në banesë për të plotësuar formularin. Ndërkohë që anketuesit duhet të vijnë deri në tri herë në të njëjtën banesë.

Të dhënat

Sipas të dhënave nga INSTAT, një anketues ka 100 banesa që duhet të intervistojë. Kur pyetësori arrinte në pyetjet për etninë dhe fenë, qytetaret ndaheshin në dy grupe. Por anketuesit pohojnë se gjate fazës së informimit të banorëve për censusin janë ndeshur edhe me raste të tilla. Për shkak të punës së madhe në terren, grupet kanë një supervizor, disa kontrollore dhe të paktën 4 anketues për zonë. Në përfundim të ditës, çdo anketues përveç kontrollorit të tij i raporton edhe INSTAT-in për numrin e formularëve të plotësuar. Ata do të depozitohen në ambiente të caktuara të shkollave të zonës. Drejtues të këtij procesi kanë bërë thirrje që shqiptarët të deklarojnë të dhënat e tyre, pasi kjo do të ndihmojë më pas në krijimin e politikave të duhura për zhvillimin e vendit. Instituti i statistikave të Shqipërisë do të realizojë Censusin 2011 në periudhën 1- 21 tetor 2011. Censusi i popullsisë dhe banesave është numërimi i të gjithë njerëzve, banesave dhe pronave brenda territorit të Shqipërisë në një kohë të caktuar. Ai është një imazh statistikor që tregon, përmes të dhënave, kush jeton në Shqipëri, kushtet socio- ekonomike dhe kushtet e jetesës.

Funksionimi

“Gjatë këtij procesi do të regjistrohen individët, banesat, si dhe do të vlerësohet gjendja ekonomike. INSTAT në Vlorë është angazhuar, që procesi i censusit të zhvillohet i rregullt dhe të arrijë objektivat e tij”, ka pohuar drejtoresha e INSTAT-it të Vlorës, Elsa Bezhani. Ajo ka thënë se “për procesin e regjistrimit janë marrë të gjitha masat, për përgatitjen teknikisht të njerëzve tanë që do të jenë në terren. Janë disa struktura që punojnë në proces, nuk janë vetëm anketuesit, do të kemi strukturën e mbikëqyrësit, inspektorët, kontrollorët dhe anketuesit. Gjithmonë duke u drejtuar nga stafi rajonal i drejtorisë së statistikës në Vlorë. Anketuesit që punojnë në terren për procesin e censusit 2011 janë trajnuar teknikisht për të marrë konceptet bazë të censusit, të cilat janë mbi banesat, mbi konceptet për njësinë ekonomike familjare, për bërthamën familjare, për vendbanuesin e zakonshëm ose atë prezent dhe jo prezent dhe disa koncepte të tjera që janë pjesë përbërëse e formularit që të do të aplikohet nga çdo anketues në terren”. Shefja e INSTAT-it u bën thirrje qytetarëve që të pranojnë anketuesit dhe t’u përgjigjen pyetjeve, pasi në të kundërt do të përballen me sanksione. “Logoja e Censusit 2011 është ‘Unë jetoj në Shqipëri’ dhe, duke qenë se jetojmë në Shqipëri, është mirë që të gjithë të marrin pjesë në censusin 2011”, është shprehur Bezhani. Ditën e djeshme janë shpërndarë në të gjitha lagjet e Vlorës disa grupe anketuesish, të cilët kanë bërë kontaktet e para me familjarët dhe situata ka qenë e qetë dhe sipas anketuesve familjarët janë përgjigjur me korrektësi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›