E Diel, 1 Nëntor 2026

Fier, në familjen çame ditën e parë të regjistrimit

Haki Alizoti është i moshuari që ka plotësuar formularin edhe për familjarët e tij dhe ka deklaruar se ka lindur në Filat, ka besim musliman dhe kombësi shqiptare

Ka nisur edhe në Bashkinë Fier procesi i regjistrimit të popullsisë. Edhe pse censusi ka hapur debate të shumta në mbarë vendin, në Fier anketuesit në terren si dhe qendra e grumbullimit të informacioneve, e cila është ngritur pranë ndërtesës së bibliotekës publike nuk raportuan për probleme dhe bojkot të këtij procesi. Që në orët e para të ditës rreth 210 anketuesit, që janë trajnuar prej ditësh për të përfunduar këtë proces të rëndësishëm, kanë nisur nga puna. Ata operojnë në të gjithë qytetin, i cili është ndarë në zona dhe nënzona. Të 210 anketuesit monitorohen nga 40 kontrollorë e që së bashku përbëjnë ekipin e plotë që për tri javë do të trokasin në çdo portë për të mundësuar realizimin e regjistrimit të popullsisë. Gjatë një vëzhgimi në lagjen “1 Maj” në Fier: Kjo zonë i përket kodit zonal 095. Ajo njihet si lagje e populluar me banorë të trevës së Çamërisë. Në shtëpitë që trokitën anketuesit në ditën e parë nuk pati kundërshtime nga ana e banorëve për të plotësuar të dhënat e formularit. Në shtëpinë e Haki Alizotit, ku u ndalëm për të parë sesi po kryej ky proces, Hakiu, i moshuari, mori përsipër që të përgjigjej në emër të të gjithë pjesëtarëve të tjerë të familjes së tij, e cila përbëhej nga 5 anëtarë. Hakiu iu përgjigj anketuesit edhe për pikat 39 dhe 40 të formularit. Sipas tij, ai ishte nga treva e Çamërisë, fshati Filat, kishte besim musliman dhe kombësi shqiptare. “Unë nuk kam pse të mohoj besimin, fenë dhe kombësinë time” tha i moshuari. Ndërkohë që anketuesi Gëzim Nure tha se në mesditë kjo ishte familja e tretë që ai plotësonte formularin dhe se nuk kishte hasur probleme apo kundërshti mes banorëve. “Qytetarët na kanë mirëpritur dhe kanë pranuar që të japin vullnetarisht të dhënat e tyre, duke mos refuzuar pikat 39 dhe 40 të këtij formulari”, pohoi ai. Edhe në zonat e tjera, sipas të dhënave të marra në qendrën e Grumbullimit të të dhënave, nuk janë hasur probleme. I vetmi problem është se dita e parë ka nisur në fundjavë, që përkon dhe me pushimin javor të qytetarëve dhe shumica e tyre janë larguar prej banesave për të shijuar fundjavën në bregdet, nisur dhe nga temperaturat e larta si dhe në pika të tjera turistike të rajonit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›