E Diel, 1 Nëntor 2026

Centrali bërthamor: Njëmijë shkodranë i shkruajnë Berishës

Pavarësisht deklarimeve të fundit të Kryeministrit Berisha se në Shkodër nuk do të ndërtohet central bërthamor, qytetarët vazhdojnë të ndihen të frikësuar. Rreth njëmijë banorë të Shkodrës kanë nënshkruar dje paradite një peticion, me anë të së cilit i kërkojnë Kryeministrit në mënyrë kategorike të mos ndërtojë central bërthamor dhe të tregohet transparent në marrjen e vendimeve për të tilla projekte, që duhet të miratohen nëpërmjet referendumit popullor. Ka qenë deputeti i djathtë, Gilman Bakalli, ai që është ulur në një tavolinë në qendër të qytetit dhe ka mbledhur firmat për këtë peticion drejtuar qeverisë dhe Kryeministrit. Shqetësimi dhe frika që kanë shkodranët nga centrali bërthamor dukej fare lehtë në radhët që mbanin njerëzit e moshave të ndryshme për të firmosur peticionin. Ndërkohë, deputeti Bakalli është shprehur për mediat se ky peticion do t‘i dërgohet Kryeministrit, që ai të tregohet më transparent dhe më i përgjegjshëm, pasi Shkodra kurrë nuk do e lejojë të ndërtojë një central bërthamor. Më tej, Gilman Bakalli është shprehur se Kryeministri në takimet jashtë Shqipërisë shprehet i gatshëm për ndërtimin e centraleve bërthamorë, ndërsa në Shqipëri flet kundër këtyre projekteve, ndaj duhet të jetë më i qartë me popullin e tij. Gjithashtu, në komunikimin me mediat, Bakalli u ka kërkuar kryesisht politikanëve të djathtë që të mos heshtin, por të bëhen aktivë për çështjen në fjalë. Ndër të tjera, në peticion shkruhet: Ne, të nënshkruarit e më poshtëm, qytetarë të Shkodrës, të shqetësuar për planet e z.Berisha dhe qeverisë në lidhje me ndërtimin e një centrali bërthamor në Shkodër, shprehemi njëzëri kundër këtij projekti dhe kërkojmë që projekte të tilla, me impakt të jashtëzakonshëm për jetën e një komuniteti, të kenë transparencë maksimale dhe referendum mbarëpopullor". Grumbullimi i firmave ka nisur rreth orës 09:00 dhe ka përfunduar rreth orës 14:00. Gjatë këtyre pesë orëve janë mbledhur rreth njëmijë firma nga kalimtarët e rastit, të cilët nuk hezitonin të firmosnin për të kundërshtuar centralin bërthamor.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›