E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk kanë paguar taksat, ndjekje penale për 10 administratorë firmash

Procedim penal për administratorët e 10 subjekteve tregtare në Durrës. Prej vitesh i janë shmangur shlyerjes së detyrimeve ndaj shtetit dhe masat administrative nuk i kanë vënë në lëvizje. Borxhi i tyre ndaj shtetit shkon në disa miliardë lekë. Një vendim për koordinim të veprimeve mes organeve në favor të mbushjes së arkës së shtetit dhe goditjes së veprimtarisë kriminale, që lidhen kryesisht me kontrabandën dhe abuzimet në shlyerjen e tatim-taksave, bëri që në mesin e marsit të hartohet një plan masash nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës. Në këtë kuadër është dhe nisja e procedimit penal për 10 subjekte të ndryshme, të cilat do të përballen me organet e akuzës dhe drejtësisë për shmangien e vazhdueshme të shlyerjes së detyrimeve ndaj shtetit. Borxhet janë akumuluar në kohë të ndryshme dhe firmat qëndrojnë në krye të një liste jo të vogël të debitorëve të tatim-taksave. Kjo ka bërë që tatim-taksat të shfaqin shqetësim për situatën dhe të kërkojnë "ndihmën" e agjentëve të Antikrimit Ekonomiko-Financiar të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës. Seksioni i Luftës kundër Krimit Ekonomiko-Financiar, nëpërmjet një deklarate zyrtare, bëri të ditur gjatë ditës së djeshme fillimin e procedimit në gjendje të lirë për dhjetë pronarët e subjekteve që ushtrojnë aktivitet prodhues e tregtar në Qarkun e Durrësit. Administratorët nën hetim drejtojnë biznese, një pjesë e të cilave janë të njohura në Durrës për aktivitetin e tyre. Madje mes tyre ka dhe firma fituese tenderësh me financime publike. Një pjesë e tyre veprojnë në sektorin e ndërtimit, transportit, prodhimit të drurit etj. Sipas burimeve policore, megjithëse ndaj firmave "Plava", "Almond", "Punëtori", "EDI Konstruksion", "ADNAIN", "EURO AL", "Adria Trans", "Enver Balla shpk", "Euro Beton" dhe "Gjema" janë marrë më parë masa administrative dhe në mënyrë të vazhdueshme u është kërkuar të shlyejnë detyrimet, qëndrimi i tyre ka qenë neglizhues. Këto subjekte kanë vazhduar të mos paguajnë tatimet dhe kjo ka bërë që të ndiqen penalisht administratorët e tyre. Vepra penale në ngarkim të tyre është ajo e mospagimit të taksave dhe tatimeve, vepër kjo e parashikuar nga neni 181 i Kodit Penal. Prokuroria e Durrësit, që ka marrë materialet e para, bëri të ditur se do të ndjekë me përparësi çështjen për këtë procedim penal, ndërkohë që pritet reagimi financiar ndaj disa prej firmave. Ndërkohë, burime nga dega e tatim-taksave në Durrës thonë se ka dhe debitorë të tjerë, për të cilët do të ndiqet e njëjta rrugë në rast se nuk shlyejnë detyrimet që kanë ndaj arkës së shtetit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›