Xhaferri: Do thërrasim Ramën në komision
Ka nisur dje punën zyrtarisht komisioni hetimor parlamentar për kryebashkiakun e Tiranës, Edi Rama. Ashtu siç pritej, prezent në mbledhjen e parë kanë qenë vetëm deputetët e mazhorancës, të cilët pasi kanë miratuar rregulloren e brendshme dhe planin paraprak të punës, kanë zgjedhur deputeten Lajla Përnaska si sekretare të komisionit. Ashtu siç parashikohet edhe nga vendimi i miratuar në Kuvend, aktiviteti i komisionit do të zgjasë për tri javë. Në një nga ditët në vijim, në mbledhjet e këtij komisioni do të thirret për të dëshmuar në lidhje me akuzat e ngritura edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Gjithashtu, si dëshmitar në këtë komision do të jenë edhe persona të tjerë, të cilët janë anëtarë të KRRT-së së Tiranës. Xhaferri theksoi edhe njëherë se objekt i hetimit do të jenë lejet e ndërtimit, të dhëna në mbledhjen e fundit të KRRT-së së Tiranës, si dhe lidhjet që kanë disa studio projektesh. Pas përfundimit të hetimeve, tha Xhaferri, ky komision do të çojë në prokurori dosjen e kryetarit të bashkisë, për t‘u hapur rrugë hetimeve. Komisioni ka vendosur t‘i kërkojë Bashkisë së Tiranës dokumentacionin përkatës në lidhje me lejet e ndërtimit dhe planin e rregullimit të kryeqytetit. Deputeti Edi Paloka tha se "ka mjaft dosje të tjera që shprehin korrupsionin e kryetarit të bashkisë, jo vetëm lejet e këtyre studiove, por do të shohim dhe se sa është zbatuar ligji mbi urbanistikën, sepse ka dhe rregulla të tjera në urbanistikë, qoftë për distancat, qoftë për vendet ku ndërtohet, qoftë për numrin e kateve". Kryetari i këtij komisioni, Ferdinand Xhaferri, hodhi poshtë pretendimet e opozitës dhe të kryebashkiakut Rama se hetimi i dytë është i paligjshëm për shkak të vendimit të majit 2003 të Gjykatës Kushtetuese. Sipas Xhaferrit, PD-ja po zbaton Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit. "Unë jam këtu në zbatim të vendimit të Kuvendit, për të thënë se sa dhe si ka vjedhur Edi Rama. Të tjerat mund t‘i ballafaqoni me aspektet juridike", u shpreh Xhaferri. Më tej ai theksoi se nuk mund të lihen pa hetuar rastet më skandaloze të korrupsionit, të konfliktit të interesit dhe të klientelizmit. "Prokuroria ka vendosur t‘i shpallë monument kulture që mbrohet nga prokuroria të gjitha dosjet e Edi Ramës. Kjo është çështje e prokurorisë, por ne jemi këtu për të deklaruar se komisioni hetimor do ta çojë në çdo familje shqiptare këtë rast, nga më skandalozët të historisë së korrupsionit në Shqipëri", theksoi Paloka.