Gjendet i vdekur nga mbidoza 32-vjeçari i droguar
KORÇË - Një 32-vjeçar, banor i qytetit të Korçës, është gjetur i pajetë në banesën e tij si pasojë e përdorimit të një mbidoze droge. Burime të policisë së Korçës thanë se në orët e vona të ditës së premte është gjetur i vdekur në banesën e tij shtetasi Luan Çuli, 32 vjeç, banor i qytetit të Korçës. Shtetasi Çuli u gjet i vdekur nga bashkëshortja e tij në një kohë që në banesën e familjes Çuli kanë qenë të pranishëm edhe dy punonjës policie për shkak hetimesh, sepse 32-vjeçari rezultonte i munguar në familje prej disa ditësh. Sipas policisë, vdekja e 32-vjeçarit ka ndodhur pak ditë më parë. Pas kryerjes së autopsisë së viktimës, policia deklaroi se shkaku i vdekjes mund të jetë përdorimi i një mbidoze të lëndës narkotike nga 32-vjeçari.
Gjendet pas dy javësh i vdekur aktori i teatrit
GJIROKASTËR – Askush nuk e ka ditur se ku ishte zhdukur aktori i njohur i trupës teatrale të Gjirokastrës, por vetëm dje është gjetur trupi i pajetë i tij. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se është ndarë nga jeta shtetasi Ylli Nocka, me profesion aktor. 47-vjeçari i pajetë u gjet në banesën e tij në qytetin jugor. Burimet policore pohojnë se artisti vuante prej kohësh nga një sëmundje mendore dhe ishte nën trajtimin mjekësor. Nocka banonte i vetëm në shtëpinë e tij. Prej dy javësh 47-vjeçari nuk kishte dalë nga shtëpia dhe vetëm dje rezultoi se kishte vdekur. Grupi që po merret me këtë çështje dyshon se vdekja mund të ketë ardhur nga sëmundja, por nuk përjashtohen edhe pistat e tjera.
Denoncimi: “Më premtoi për martesë, por më shfrytëzoi”
BERAT- I ka premtuar se do të martohej me vajzën 23-vjeçare, ndonëse ishte më i vogël, por më pas e ka mashtruar duke e shfrytëzuar për qëllime prostitucioni. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se shtetasja B.Gj., me banim në qytetin e Beratit, ka denoncuar bashkëqytetarin Eneo Sula për trafikim. Pas rrëfimit përpara oficerëve të policisë dhe më pas kallëzimit të bërë nga 23-vjeçarja dy ditë më parë, organi i hetimit ka filluar procedimin në gjendje të lirë ndaj shtetasit Eneo Sula. B. Gj. u ka thënë oficerëve të Policisë Gjyqësore në Drejtorinë e Policisë së qarkut të Beratit se ajo është mashtruar nga 20-vjeçari, i cili, pas premtimit të bërë se ai do të martohej me të, e ka detyruar që të prostituojë rrugëve të shtetit italian. Ndaj Sulës ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë për veprën penale të “shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese”.
Xhelozia, plagoset me thikë 67-vjeçari
BERAT – Xhelozia e ka nxitur një të moshuar që të plagosë me thikë një 52-vjeçar. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se të premten, rreth orës 16:30, shtetasi Koli Kondakçiu, lindur në vitin 1941 dhe banues në qytetin Ura Vajgurore, pas një grindjeje me shtetasin Anastas Gjata e ka qëlluar këtë të fundit me thikë në krah. Sipas këtyre burimeve, konflikti mes dy bashkëqytetarëve ndodhi për motive xhelozie.
Pas plagosjes, i lënduari është dërguar menjëherë në repartin e kirurgjisë të Spitalit rajonal të qytetit të Beratit dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, policia arrestoi në kushtet e flagrancës 67-vjeçarin Kondakçiu. Materialet për veprat penale “vrasje e mbetur në tentativë” dhe “mbajtje pa leje të municioneve luftarake”, i kanë kaluar Prokurorisë së rrethit të Beratit.
7 Prill 2008