Prençi takon homologun grek për krimin e organizuar
Tiranë - Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, zhvilloi një vizitë njëditore në Janinë, Greqi, me kërkesë të drejtorit të sapo emëruar të Policisë Greke, Gjeneral-lejtënant Vassilios Ciaturas. Sipas njoftimit zyrtar, gjatë takimit zyrtar, kryekomisar Prençi uroi për detyrën e re homologun grek dhe shprehu konsiderata të larta për bashkëpunimin policor ndërmjet dy vendeve. Ai shprehu gjithashtu vendosmërinë e Policisë së Shtetit për të vazhduar më tej bashkëpunimin me Policinë Greke në luftën kundër krimit të organizuar, trafikut të qenieve njerëzore, arrestimin e personave të kërkuar etj. Prençi bëri një ekspoze të shkurtër të reformës legjislative dhe organizative që po i nënshtrohet Policia e Shtetit si dhe përmendi disa nga rezultatet e punës së vitit të kaluar. “Bashkëpunimi policor deri tani me Greqinë është në nivele shumë të mira”, - theksoi Prençi, duke vlerësuar ndihmën e policisë greke në fusha të ndryshme. Prençi garantoi seriozitet dhe besnikëri në misionin e përbashkët në luftën kudër krimit në përgjithësi dhe në veçanti krimit të organizuar, trafikut të paligjshëm ndërkufitar etj. Sipas drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, krimi nuk njeh kufij, nuk ka kombësi apo ngjyrë, e nga kjo pikëpamje e gjejmë veten partnerë në një front lufte me të gjithë organizatat e zbatimit të ligjit të vendeve fqinje apo mbarë botërore. Prençi vlerësoi me nota pozitive rezultatet e operacioneve të përbashkëta të Policisë Kufitare greke dhe shqiptare e konstatoi me kënaqësi se bashkëpunimi mes dy palëve vjen gjithnjë në rritje. Ndër të tjera, ai theksoi se takime periodike mes palëve duhet të intensifikohen me qëllim parandalimin e krimit ndërkufitar. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Greke, Gjeneral-lejtënant Vassilios Ciaturas, e përgëzoi homologun shqiptar për ftesën që mori Shqipëria për anëtarësimin në NATO. “Jam shumë i kënaqur që bashkëpunimi mes strukturave të Policisë tonë dhe asaj shqiptare ka arritur nivele kaq të mira dhe premtoj se do të punoj për të çuar dhe më lart nivelin e këtyre marrëdhënieve. Vlerësoj goditjet e fundit të bëra në luftën kundër trafikut të paligjshëm në zonat Vlorë, Gjirokastër e Korçë. Unë Shqipërinë dhe shqiptarët nuk i shoh thjesht si fqinjë, por si miq. Prandaj oficerët e Policisë shqiptare nuk i shoh thjesht si homologë, por si kolegë, duke ju konsideruar si pjesë e një familjeje të madhe që luftojmë për të njëjtin qëllim, luftën kundër krimit”, - tha gjeneral-lejtënant Vassilios Ciaturas.
Krimet e Rënda lënë në qeli 23-vjeçarin nga Lazarati
Tiranë - Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi dje të lerë në qeli të pandehurin Sinan Rabi, 23 vjeç nga Lazarati i Gjirokastrës, i cili akuzohet për “trafik të lëndëve narkotike në bashkëpunim”. Gjatë seancës së sotme gjyqësore, përfaqësuesi i Prokurorisë i komunikoi zyrtarisht 23-vjeçarit Rabi akuzën e mësipërme.
Ndërkohë që kapja e 23-vjeçarit Rabi u mundësua dy ditë më parë nga forcat e strukturave të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Policinë e Tiranës, pasi ishte shpallur në kërkim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Rreth një javë më parë, Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, me kërkesë të prokurorisë, kishte caktuar ndaj tij, masën e sigurisë “arrest me burg” për veprën e mësipërme penale.
7 Prill 2008