Konkursi te Magjistratura, shkon në 133 numri i kandidatëve
Laureta Rryçi
Numri i aplikuesve për konkursin e Magjistraturës ka shkuar në 133. Burime zyrtare pranë kësaj shkolle pohuan dje për gazetën “Albania” se edhe pse ka ende ditë në dispozicion për regjistrim, sërish ka pasur një fluks kërkesash nga kandidatët që duan të specializohen si gjyqtarë apo prokurorë. Të njëjtat burime shpjeguan se kandidatët do t’i nënshtrohen provimit të njëllojtë, më pas do të profilizohen në gjyqtarë dhe prokurorë. Ndërkohë, drejtuesit e kësaj shkolle kanë shpallur vendin vakant për drejtor. Me dekretin e presidentit, Bamir Topi, Arjana Fullani ka kaluar gjyqtare në Gjykatën e Lartë, duke hequr dorë kështu nga drejtimi i Shkollës së Magjistraturës.
Konkurrimi
Këshilli Drejtues i Shkollës së Magjistraturës konstatoi mbarimin e mandatit të drejtorit aktual të Shkollës së Magjistraturës së Republikës së Shqipërisë dhe shpall vendin vakant të drejtorit të ri. Kandidatët duhet të paraqesin pranë sekretarisë së Shkollës së Magjistraturës kërkesën e tyre dhe dokumentet bashkangjitur, brenda datës 03.10.2008. Sipas ligjit, drejtori i Shkollës së Magjistraturës emërohet nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë me propozimin e Këshillit Drejtues, nga radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve me vjetërsi pune jo më pak se 10 vjet, ose nga radhët e juristëve të shquar, që e kanë ushtruar profesionin e juristit jo më pak se 15 vjet. Çdo aplikant duhet të marrë nga sekretaria e shkollës, numrin e regjistrimit në protokoll të kërkesës për aplikim.
Provimi
Fletët e përgjigjes së provimit do të jenë të gjitha të vulosura. Të gjithë kandidatëve do t’u shpërndahet një zarf i vogël, i cili brenda ka një letër në të cilën do të shkruhet emri i kandidatit që konkurron. Emri nuk do të shkruhet në asnjë nga fletët e provimit. Më pas zarfi do të mbyllet e do të vuloset. Në fund të provimit zarfi i vogël së bashku me fletët e provimit (të cilat do të jenë të futura në një zarf të madh, që dhe ky do të vuloset), do të dorëzohen në një vend të caktuar.
2. Pas dorëzimit të fletëve të provimit Drejtoria e Shkollës së Magjistraturës do të vendosë numrin si në zarfin e vogël, ashtu dhe në zarfin e madh të çdo kandidati. Komisionit të provimit do t’i vihet në dispozicion vetëm zarfi i madh, me numrin përkatës, i cili përmban fletët e provimit.
Korrigjimi
Korrigjimi i provimit me shkrim do të bëhet në një sallë të mbyllur (ambient zyrtar) brenda godinës së Shkollës së Magjistraturës. Gjithashtu, asnjë anëtar i komisionit të korrigjimit nuk lejohet që të marrë me vetë fletët e provimit.
Për çdo kërkesë kandidati duhet të kërkojë leje nga administratori i konkursit. Gjatë provimit, e gjithë salla do të jetë nën mbikëqyrjen e një grupi individësh të pavarur.
Moskualifikimi
Studentët nuk duhet të flasin ose të japin e të marrin asistencë nga njëri – tjetri apo nga të tjerë gjatë provimit, për asnjë lloj arsyeje. Në qoftë se një gjë e tillë ndodh, atëherë administratori i provimit (Drejtoria) vendos menjëherë përjashtimin e studentëve nga salla e provimit, si dhe deklarimin e provimit të tyre të pavlefshëm. Në qoftë se një student merr ndihmë nga dikush, të dyja palët do të skualifikohen në bazë të rregullit II. Monitoruesit do të jenë persona jo të përfshirë në sistemin gjyqësor shqiptar dhe jo me profesion jurist apo pedagog të Shkollës së Magjistraturës. Ata do të jenë përfaqësues shqiptarë dhe të huaj nga organizata me të cilat Shkolla e Magjistraturës ka pasur dhe ka marrëdhënie bashkëpunimi. Në qoftë se monitoruesit do të vënë re shkelje, sado të vogla të rregullave të provimit, ata do t’u kërkojnë studentëve që ta lënë sallën menjëherë, si dhe do të njoftojnë administratorin e provimit.
6 Shtator 2008