E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ceremonia, emërohen pas përfundimit të Akademisë 76 oficerë të rinj

Tiranë – Dje, në mjediset e hotelit “Tirana International”, u zhvillua ceremonia e emërimit në strukturat e Policisë së Shtetit të 76 studentëve që përfunduan studimet në Akademinë e Policisë në vitet 2006-2007. Në këtë ceremoni mori pjesë ministri i Brendshëm Bujar Nishani, zëvendësministri i Brendshëm Gent Strazimiri, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit kryekomisar Ahmet Prençi, si dhe drejtues të lartë të strukturave të Policisë së Shtetit. Ministri i Brendshëm Bujar Nishani, në përshëndetjen e tij për punonjësit më të rinj të strukturave policore, vlerësoi se emërimi i tyre vjen në një moment mjaft të rëndësishëm në veprimtarinë, funksionimin dhe organizimin e Policisë së Shtetit. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, kryekomisar Ahmet Prençi, pasi përshëndeti studentët e sapoemëruar u kërkoi që të jenë sa më eficientë në punë. “Emërimi i studentëve të rinj është bërë në struktura të rëndësishme të Policisë së Shtetit. Të gjitha vajzat janë emëruar te sektori i trafiqeve të paligjshme në mënyrë që të kemi një frymë të re në mënyrën e trajtimit të viktimave të trafikut. Të gjithë studentëve u siguroj se me ligjin e ri të Policisë së Shtetit do të kenë përpara një karrierë të mbështetur në kritere të qarta e të plota dhe suksesi do të varet nga puna e gjithsecilit. E vetmja këshillë që ju jap është se nga sot secili prej jush duhet të udhëhiqet nga respektimi i ligjit gjatë karrierës së tij, duke synuar që një ditë të jetë drejtor i Përgjithshëm. Ky është edhe urimi im për ju”, - u shpreh gjatë ceremonisë kryekomisar Ahmet Prençi.

21 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›