E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhunoi patrullën e policisë te “Siri Kodra”, dërgohet në qeli 32-vjeçari

Tiranë – Kundërshtoi punonjësin e policisë, por kolegët e këtij të fundit e kanë vendosur në pranga. Sipas burimeve policore, ngjarja ka ndodhur dje në mbrëmje. Të njëjtat burime saktësuan se uniformat blu të Komisariatit të Policisë Nr.3 Tiranë vunë në pranga Çlirim Dumin, 32 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Vishje. Arrestimi i tij u bë pasi rreth orës 22:00, në rrugën “Siri Kodra”, ka kundërshtuar me dhunë në krye të detyrës duke i shkaktuar dëmtime fizike punonjësin e Patrullës së Përgjithshme, i cili ka marrë mjekim në spital. U kryen veprimet procedurale dhe materialet i kaluan Prokurorisë për procedime të mëtejshme për veprën penale të “Kundërshtimit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Dyshohej për vjedhje të një banese në Golem, ndalohet nga policia

Kavajë - Dyshohet se është autor i vjedhjes së një banese në Golem, ndalohet nga policia. Burimet zyrtare të policisë së Kavajës njoftuan dje se kanë vënë në pranga të kërkuarin për vjedhje Leart Cala, 30 vjeç, lindur në Kavajë dhe banues në Golem. Ndalimi i tij u bë pasi dyshohet të jetë autor i vjedhjes së banesës së një shtetasi në Golem, ku ka marrë bizhuteri, si varse, unaza dhe materiale të tjera me vlerë. Ngjarja, sipas të njëjtave burime, ka ndodhur para dy javësh, por është denoncuar dje nga i dëmtuari. Gjithashtu, 30-vjeçari më datën 18 shkurt 2008, rreth orës 18:00, në gjendje të dehuri, ka dëmtuar sende dhe objekte shtëpiake në banesën e tij duke thyer një xham dritareje dhe një abazhur. U kryen veprimet procedurale dhe materialet i kaluan Prokurorisë së Kavajës për veprat penale të “Vjedhjes” dhe “Shkatërrimit të pronës”.

21 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›