KLD, garë publike për kandidatët për kryetarë gjykatash
Laureta Rryçi
Tiranë - Kandidatët e rinj për kryetarë gjykatash i pret një garë publike. Një nismë kjo për herë të parë nga lloji u bë publike dje në mbledhjen e radhës të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Propozimi u diskutua parimisht nga anëtarët e këshillit duke vendosur në fund ngritjen e një grupi pune për të përcaktuar rregulla të reja. Pas kësaj çështjeje, këshilli pranoi kërkesën e ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, për shkarkimin e gjyqtarit të Apelit të Vlorës, Sokol Ngresi.
Mbledhja
Këshilli i Lartë i Drejtësisë vendosi dje krijimin e një grupi pune për përcaktimin e procedurave specifike, ku u propozua për prezencën në këto procedura të grupeve të interesit, si avokatë, gjyqtarë, prokurorë, intelektualë, ekspertë të së drejtës, pedagogë dhe shumë përfaqësues të tjerë të komunitetit. Ky proces, sipas kryetarit të KLD-së Bamir Topi, synon të thellojë transparencën në vendimmarrjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duke garantuar pjesëmarrjen e publikut, si dhe një garë të ndershme, të barabartë, ligjore dhe të hapur, për të gjithë kandidatët, të cilët do të drejtojnë në të ardhmen gjykatat shqiptare. Këshilli i Lartë i Drejtësisë po përpiqet ta përshtasë procesin e zgjedhjes së kryetarëve me frymën e ligjit të miratuar me konsensus nga Kuvendi. Këshilli i Lartë i Drejtësisë miratoi propozimet e ministrit të Drejtësisë për delegime të gjyqtarëve të gjykatave të rretheve gjyqësore dhe të apeleve. Gjithashtu, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, pasi mori në shqyrtim kërkesën për procedim disiplinor për shkarkim nga detyra të gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Vlorë, Sokol Ngresi, vendosi pranimin e kërkesës.
Inspektimet
Një tjetër pikë e rendit të ditës ishte përcaktimi i tematikës së kontrollit të veprimtarisë së kryetarëve të gjykatave të rretheve gjyqësore dhe të apelit, kontroll që do të realizohet në bazë të vendimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë në mbledhjen që u zhvillua në dhjetor. U vendos që disa nga tematikat e këtij kontrolli të jenë: verifikimi i ofrimit të një shërbimi gjyqësor transparent; verifikimi i ndarjes së çështjeve gjyqësore me anë të shortit; evidentimi i rolit të kryetarit të gjykatës lidhur me verifikimin e disiplinës formale në punë të gjyqtarëve, referuar kjo dhe në shkaqet e shtyrjes së seancave gjyqësore për mospjesëmarrje të gjyqtarit e të tjera. Sipas njoftimit zyrtar të KLD-së, ky kontroll synon edhe inspektimin dhe vlerësimin e punës së drejtuesve të gjykatave që nuk u ka mbaruar mandati.
Bamir Topi, si duhet të realizohet procesi
“Këtu nuk bëhet fjalë për anulime mandatesh, këtu nuk bëhet fjalë për mënjanime nga konkurrimi, këtu fusha konsiderohet e hapur për të gjithë, qofshin ata që nuk kanë qenë ndonjëherë pjesë e strukturave drejtuese, qofshin ata që konsiderohen të larguar nga ky pozicion, janë të gjithë në garë. Metodika e përzgjedhjes së kryetarëve të gjykatave duhet të jetë një metodikë shkencore, nuk duhet të bëhet në mënyra të vrullshme revolucionare, por duhet të bëhet, përderisa ka termin “shkencore”, duhet të bëhet në mënyrë shumë objektive, larg subjektivizmave, jashtë influencave të segmenteve të caktuara, që, pa e paragjykuar, por, në një vlerësim shumë parimor, mund të jetë nga vetë Gjyqësori, mund të jetë nga komuniteti, mund të jetë nga politika, mund të jetë nga institucionet, pra ne duhet të bëjmë një proces të pastër”.
21 Shkurt 2008