Krimet e Rënda rrëzojnë kërkesën e bandës së Lushnjës
Tiranë - Gjykata e Krimeve të Rënda rrëzoi dje kërkesën e mbrojtjes së tre prej shtatë të pandehurve të bandës së Lushnjës për ndryshimin e trupit gjykues. Kërkesa për ndryshimin e trupit gjykues ishte bërë nga përfaqësuesit e mbrojtjes ligjore të të pandehurve Ilir Stergu, Arben Boriçi dhe Rexhep Gina, një seancë më parë me pretendimin për njëanshmëri në gjykimin e çështjes. Ndaj shtatë të pandehurve të këtij procesi, i cili është i dyti për bandën e Lushnjës, rëndojnë akuzat për “pjesëmarrje në organizatë kriminale” dhe “vrasje”.
Gjykata e kishte dënuar me burg, prangoset pas dy muajsh 35-vjeçari
Tiranë – Gjykata e kishte dënuar për falsifikim të monedhave, por prej dy muajsh i kishte shpëtuar prangave të policisë. Burime të sigurta thanë për gazetën se Sektori i Operacioneve Speciale dhe Kërkimit realizoi ndalimin e shtetasit në kërkim Erion Çobani, 35 vjeç, lindur dhe banues në Pogradec. Ndalimi i tij u bë pasi ishte shpallur në kërkim nga policia e kryeqytetit pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me datë 26.12.2007, e ka dënuar me 6 muaj burg për veprën penale të “Falsifikimit të monedhave”, parashikuar nga Neni 183/1 i Kodit Penal.
Ishte dënuar për vjedhje, arrestohet pas 10 muajsh
Tiranë – Ishte në kërkim për vjedhje, ndalohet nga policia. Burimet policore thanë për gazetën se dje efektivat e antikrimit realizuan kapjen e shtetasit në kërkim Hysen Ademi, i vitlindjes 1966, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për “shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”, pasi Gjykata e Rrethit Tiranë, me vendim datë 2 maj të vitit 2007, e ka dënuar me 6 muaj burg për veprën penale “vjedhje e mbetur në tentativë”, parashikuar nga Nenet 134/1 dhe 22 të Kodit Penal.
Policia kap automjetin e vjedhur, identifikohet autori
Tiranë - Gjendet autovetura e vjedhur tri ditë më parë dhe policia identifikon autorin e kësaj vepre penale. Burime policore thanë për gazetën se Seksioni kundër Vjedhjeve të Automjeteve mundësoi zbulimin e vjedhjes së automjetit tip “Benz”, me targa TR 0597 K, në pronësi të një shtetasi, ku autor i kësaj vjedhjeje dyshohet të jetë shtetasi Ndriçim Matoshi, i arrestuar me 17 shkurt 2008 për veprën penale të “vjedhjes”. Materialet i kaluan Prokurorisë për rifillimin e hetimeve. Vazhdon puna për zbulimin e ngjarjeve të tjera të kryera nga ky shtetas.
21 Shkurt 2008