ERE dhe ERT-ja, Komisioni i Ekonomisë diskuton strukturat e pagave
Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave diskutoi të mërkurën strukturën e Entit Rregullator të Energjisë dhe të Entit Rregullator të Telekomunikacioneve. Në lidhje me ERE-n, përfaqësues të Bordit të Komisionerëve të Entit shpjeguan se pas ndryshimeve thelbësore në sektorin e energjisë elektrike, të cilat janë të lidhura drejtpërdrejt me institucionin e ERE-s, kërkohet miratimi i shtesës prej 4 punonjësish të organikës së ERE-së, duke e çuar në 32 punonjës nga 28 që është aktualisht. Sipas tyre, “struktura e re e ERE-s, e cila i shërben përmirësimit të drejtpërdrejtë të punës ndaj të licencuarve që gjatë vitit 2008 do të dominohet nga subjektet private, nuk sjell asnjë barrë financiare mbi buxhetin e shtetit”. ERE, sipas përfaqësuesve, buxhetin e vet financiar e ndërton nga detyrimet financiare të të licencuarve ndaj këtij institucioni. Kurse në lidhje me ERT-në, sipas kryetarit të Entit Hydajet Kopani, deri në hyrjen në fuqi të ligjit "Për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe institucioneve të tjera të pavarura", struktura organizative, numri dhe pagat e punonjësve të ERT-së janë përcaktuar me vendim të Këshillit Drejtues, në zbatim të ligjit “Për telekomunikacionet”. Kopani u shpreh dje se “ERT-ja propozon kategorizimin për pagat, duke u bazuar në nivele funksionesh, funksionarë të lartë shtetërore, të kabinetit ndihmës, të nivelit ekzistues, nëpunës dhe punonjës mbështetës”. Sipas Kopanit, ERT-ja është rregullator në një sektor të ndjeshëm dhe me rritje të shpejtë, në të cilin ushtrojnë aktivitetin shoqëri tregtare me nivele pagash të larta dhe në këto kushte është e nevojshme të bëhen përmirësime të vijueshme në aftësimin e këtij institucioni, nivelin e stafit në kuadër edhe të investimit në vazhdimësi për kualifikim, duke bërë shtesë mbi pagat e përcaktuara.
Kuvendi shqyrton “kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore”
Komisioni i Kuvendit për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin shqyrtoi dje në mbledhjen e radhës projektligjin “Për një shtesë në Ligjin Nr. 8053, datë 21.12.1995, “Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore”. Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Jemin Gjana, i pranishëm gjatë diskutimit të këtij projektligji, bëri prezent draftin e paraqitur nga Këshilli i Ministrave për këtë problem. Sipas tij, në këtë draft ndër të tjera është shtuar dhe paragrafi që “Përdoruesit e tokave bujqësore brenda vijave kufizuese të qyteteve, fshatrave ose qendrave urbane, që disponojnë aktet e marrjes së tokës në përdorim, të lëshuara deri në fund të muajit shkurt të vitit 1996, kompensohen me truall në zonat urbane, në çastin që toka e tyre do të kalojë për kompensimin fizik të subjekteve të shpronësuara ose për ndërtime publike”, si dhe disa kritere për kompensimin në truall të tokës bujqësore. Anëtarët e Komisionit, pasi dëgjuan shpjegimet e ministrit Gjana, vendosën që ta vazhdojnë shqyrtimin e projektligjit në mbledhjen e datës 25 shkurt 2008, me qëllim që të kenë më shumë kohë për t`u njohur me këto materiale dhe të dëgjojnë paraprakisht mendimin e Komisionit të Ligjeve.
Bujqësia, Gjana në Vjenë për të firmosur marrëveshjen me Austrinë
Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Jemin Gjana, me ftesë të homologut austriak Jozef Proll, u nis dje në Vjenë për nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi mes dy vendeve në fushën e bujqësisë, ushqimit dhe blegtorisë. Sipas MBUMK-së, “ministri Gjana u prit dje në një takim të veçantë nga ministri austriak i Bujqësisë, Proll, me të cilin diskutoi për nismat dhe programet që po ndërmerr qeveria shqiptare për zhvillimin e bujqësisë në vend”. Në këtë takim të dy ministrat shprehën gatishmërinë për rritjen e bashkëpunimit dhe konkretisht, në drejtim të zhvillimit të bujqësisë e blegtorisë. Austria është një ndër vendet kryesore që zbaton disa programe zhvillimi në mbështetje të sektorit të blegtorisë shqiptare, kryesisht për prodhim mishi e qumështi. Sipas MBUMK-së, ministri Gjana e falënderoi homologun e tij austriak, Proll, për ndihmën dhe kontributin që po jep Austria në mbështetje të bujqësisë shqiptare.
Tregtia me vendet e CEFTA-së, Shqipëria rrit eksportet
Eksportet shqiptare drejt vendeve të CEFTA-së për vitin 2007 shënuan një rritje prej 63.8 për qind, duke aritur në vlerën 78 milionë euro ose 9.9 për qind të totalit të eksporteve.
Pjesa e eksporteve me origjinë preferenciale nga Shqipëria drejt vendeve të CEFTA-s arriti në masën 44.4 milionë euro ose 57 për qind të totalit të eksporteve drejt vendeve të CEFTA-s, çka tregon se një pjesë e madhe e produkteve të eksportuara për vitin 2007 kanë qenë me preferencë në ato vende. Destinacionin dhe peshën më të madhe në rritjen e eksporteve për vitin 2007 e zënë Kosova me 48 për qind, Maqedonia me 23 për qind dhe Sërbia 18 për qind.
21 Shkurt 2008