Rritet nafta në bursa, tregtarët vendas nuk e lëvizin çmimin
Ervin Koçi
“Nafta bruto gjatë vitit 2008 do të shitet në tregjet ndërkombëtare mesatarisht me 80 dollarë/fuçia”, - ky ishte parashikimi për ecurinë e çmimit i bërë nga grupi i analistëve të "Raiffeisen Bank" në Vienë gjatë fundvitit 2007. Gjithashtu, parashikimet e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë lajmëruan një rritje të kërkesës globale për naftë me rreth 2,3 për qind në vitin 2008, por rritja e prodhimit nga vendet eksportuese të naftës pritet të jetë më e madhe se 2,8 për qind. Ndryshe nga parashikimet, dje çmimi i fuçisë së naftës arriti 100.10 dollarë në bursën e Nju Jork-ut, duke vendosur një rekord të ri, si dhe duke rritur dyshimet për një ulje të ofertës për naftë bruto. Çmimi i një fuçie nafte arriti një rekord në mbyllje në fund të ditës së djeshme, duke u mbyllur me 100.1 dollarë. Që prej kuotimit në Nju Jork, është hera e parë që çmimi i fuçisë së naftës e mbyll ditën me një vlerë prej më shumë se pragu prej 100-dollarësh i fiksuar nga ekspertët e ekonomisë. Kjo rritje i detyrohet një uljeje të mundshme të nivelit të prodhimit të naftës nga vendet e organizatës së eksportuese të naftës “OPEK”, e cila përfaqëson 40 për qind të tregut botëror të naftës dhe që do të mblidhet më 5 mars në Vjenë.
Tregu vendas
Kryetari i Shoqatës së Tregtarëve të Hidrokarbureve, Viktor Nushi, tha se çmimi i karburanteve në tregjet tona nuk ka pësuar ndryshim, pavarësisht rritjes në bursat ndërkombëtare, ku dje dhe sot çmimi për fuçi i naftës arriti mbi 100 USD. Por, sipas tij, kjo situatë është në varësi të tendencës së çmimeve që do të ndjekë bursa botërore lidhur me çmimet e naftës, si dhe importeve nga tregtarët tanë. “Aktualisht, situata e stabilizuar e çmimeve në tregun shqiptar varet nga rezervat e naftës që kanë vetë tregtarët shqiptarë”, - tha Nushi. Por me këtë deklaratë ai ka lënë të kuptohet se mund të kemi një tjetër rritje të çmimit të hidrokarbureve në tregun vendas në rast se rezervat e tregtarëve shterin shpejt. Kjo duke u nisur edhe nga të dhënat që kemi pikërisht nga Shoqata e Tregtarëve dhe Importuesve të Hidrokarbureve, të cilët shprehen se rezervat e hidrokarbureve në vend janë relativisht të vogla. Në tregjet tona ditët e fundit eurodiezeli është shitur në 140 lekë/litri, benzina në 142 lekë/litri dhe diezel-i në 135 lekë/litri. Megjithatë situata në Shqipëri ka pak gjasa për ndryshim, pasi, duke iu referuar traditës historike, grosistët e rrisin menjëherë çmimin kur në tregun ndërkombëtar vlerat janë të larta, por nuk reagojnë në të njëjtën mënyrë kur çmimi ulet. Sipas Bankës së Shqipërisë, "norma vjetore e rritjes së çmimit të naftës në vend është më e lartë se ajo e regjistruar në tregun ndërkombëtar, gjë që dëshmon për veprimin e faktorëve të tjerë të brendshëm mbi çmimin e naftës në vend". Por pas konstatimeve të BSH-së, Autoriteti i Konkurrencës ka filluar një proces investigimi të thelluar për marrëveshjet monopol në tregun e energjisë dhe hidrokarbureve.
Parashikimet për të ardhmen
RZB-ja parashikon se nafta do të ketë sërish një trend rritës gjatë vitit 2009, ku pritet që një fuçi të shitet me mbi 90 USD, për shkak të rritjes së kërkesës globale më shumë sesa mund të përballojë oferta. Gjatë vitit 2008, kërkesa për naftë nuk parashikohej të rritej me ritme të larta, për shkak të recensionit që po përjeton ekonomia globale, edhe pse çmimet e ditëve të fundit në bursa demonstruan të kundërtën.
Nafta rriti çmimin e bukës dhe të biletave
Rritja e vazhdueshme në 6 muajt e fundit e çmimit të naftës në tregun vendas të hidrokarbureve, e ndikuar edhe nga rritja në bursat ndërkombëtare, ndikoi drejtpërdrejt edhe në rritjen e çmimeve të artikujve të konsumit në vendin tonë. Kjo rritje kapi fillimisht çmimin e artikujve kryesorë jetikë si buka apo dhe të tjera produkteve që vinin prej importit, si dhe sektorin e transporteve. Si pasojë, efekti më i dukshëm u ndie në sektorin e automjeteve private, si dhe në të gjithë koston e sektorit të transportit në tërësi. Kështu, në muajin janar të këtij viti, çmimi i naftës shënoi një rritje prej 0,1 për qind, kundrejt muajit dhjetor 2007, ndërsa çmimi i benzinës u ul me 0,9 për qind. Sipas të dhënave më të fundit të INSTAT-it, rezulton se “nga rritja e çmimit të naftës në muajin janar, shërbimet e transportit shënuan rritje me 0,5 për qind”. Por ndërkohë duhet pranuar fakti se importuesit dhe tregtarët vendas të hidrokarbureve janë gjithmonë në “avanguardë” të rritjeve të këtyre produkteve, duke i paraprirë tregut ndërkombëtar.
21 Shkurt 2008