E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rihapen pikat kufitare në Kosovë, tashmë nën administrimin e KFOR-it

Pas djegies së dy pikave kufitare nga serbët në veri të Kosovës, NATO-ja i mbylli këto pika për 24 orë. Gjatë ditës së djeshme është bërë e mundur hapja e këtyre pikave të kalimit në Jarinjë të Leposaviçit dhe në Banjë të Zubin Potokut. Lajmi është konfirmuar nga agjencitë kosovare të lajmeve, të cilat kanë cituar zëdhënësin e Shërbimit Policor të Kosovës, Veton Elshani, i cili ka bërë të ditur se hapja e pikave kufitare me Serbinë tashmë nuk do të administrohet më nga forcat e SHPK-së, por nga trupat e KFOR-it dhe policia e UNMIK-ut. Para dy ditësh, shefi i UNMIK-ut Joakim Ryker dhe komandanti i KFOR-it, gjenerali De Marnak, vendosën që pikat e kalimit kufitar mes Kosovës dhe Serbisë, Jarinjë në Leposaviç dhe Banjë në Zubin Potok, të mbylleshin për 24 orë. Përmes një deklarate për shtyp, Ryker dënoi dhunën e demonstruar, ndërsa u shpreh se pret nga qytetarët e Kosovës të jenë të qetë dhe të respektojnë UNMIK-un dhe KFOR-in. Të martën, grupe protestuesish serbë sulmuan dy vendkalimet kufitare Kosovë-Serbi, të cilave u është vënë zjarri, ndërkaq janë djegur edhe disa vetura të UNMIK-ut.

Moska e Ankaraja, pozicione të kundërta për Kosovën

Planet për misionin e Bashkimit Europian në Kosovë paraqesin shkelje të së drejtës ndërkombëtare, - tha ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov. “Vendimi i njëanshëm i BE-së për dërgimin e misionit në Kosovë është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëre”, - është shprehur Lavrov pas takimit me ministrin e Jashtëm të Turqisë, Ali Babaxhan, në Moskë. Babaxhan tha: “Pozicioni i Turqisë lidhur me Kosovën është krejtësisht i ndryshëm”. Ai shtoi se vendimi i Turqisë për njohjen e pavarësisë së Kosovës e tregon këtë. Turqia ishte ndër vendet e para që e njohu pavarësinë e Kosovës.

21 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›