E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milan ofensive ndaj Barces

Trajneri i Milanit, Masimiljano Alegri ka motivuar skuadrën e tij në prag të ndeshjes çerekfinale të Champions League kundër Barcelonës, një kundërshtar me të cilin kuqezinjtë janë ndeshur dy herë në fillim të sezonit. Drejtuesi i stolit të “Djallit” ka premtuar një skuadër ofensive, edhe pse e ka të qartë rrezikun e madh që ekziston kur përballë katalanëve luan në mënyrë të hapur.

“Do të luajmë si në ndeshjen e kthimit në ‘San Siro’. Në atë ndeshje u paraqitëm me më tepër kurajë, sulmuam dhe krijuam disa raste, megjithatë nuk duhet të përsërisim gabimet në mbrojtje. I respektojmë kundërshtarët, por nuk u trembemi. Barça është favorite, por nuk do të luajmë me frikë. Duhet të zbresim në fushë me kurajë, qetësi dhe ekuilibër. Kjo është sfida më e vështirë e çerekfinaleve, por kjo vlen edhepër Barcelonën”

Alegri ka konfirmuar edhe qëndrimin për tre javë jashtë fushave të Tiago Silvës prej dëmtimit muskulor, ndërsa thekson se pavarësisht disa mungesave, skuadra është gati për këtë duel të madh. Në konferencën për shtyp përpara ndeshjes me “blaugranat” ka qenë edhe Zlatan Ibrahimoviç, i cili thekson se Milani nuk hyn në fushë për të humbur.

“E gjithë skuadra duhet të zhvillojë një ndeshje perfekte, natyrisht edhe unë. Do të hyjmë në fushë për ti luajtur këto dy sfida dhe tashmë nuk mund të humbasim, siç ka ndodhur në fazën e grupeve. Kjo sfidë është shumë e rëndësishme për traditën, dhe historia e Milanit kërkon që të paraqitemi sa më mirë në Champions”

Në fund, Ibra ka folur edhe për të ardhmen, duke theksuar se ka edhe dy vjet kontratë me klubin kuqezi, ndërsa duke folur për aventurën te Barça, konfirmoi se e kishte ëndërr të luante te spanjollët dhe shprehu kaqardhje që aventura e tij në “Kamp Nou” zgjati vetëm një vit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›