Cërrik, kopshtet janë burimi i verdhëzës
Epidemia e verdhëzës ose Hepatitit A, në Bashkinë e Cërrikut, e ka burimin në kopshtet publike të këtij qyteti. Pjesa më e madhe e të infektuarve, që i janë drejtuar spitalit të qytetit për ndihmë të specializuar, janë fëmijë që e kalonin ditën së bashku në kopshtet publike, në Cërrik. Një konfirmim i tillë vjen pas inspektimit të kryer nga strukturat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe atyre të Institutit të Shëndetit Publik. "Të njoftuar nga shërbimi epidemiologjik i Rrethit Elbasan, bazuar edhe nga denoncimet e ardhura nga spitali pediatrik i Elbasanit, ashtu edhe nga laboratori i spitalit, u pa e nevojshme inspektimi i hollësishëm i gjendjes në vend", deklarojnë përfaqësuesit zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë. Sipas tyre, Drejtoria e Shëndetit Publik dhe shefi i Epidemiologjisë së Elbasanit sqarojnë se "në bazë të denoncimeve rezulton se deri më datën 27 tetor, në Bashkinë Cërrik, kishte gjithsej 15 raste të diagnostikuara me hepatit viral akut". Epidemiologjia e Qarkut të Elbasanit bën me dije gjithashtu se "rasti i parë përkon më datën 23 tetor dhe kurba e rasteve paraqet një trend në rritje dhe pjesa më e madhe tyre kanë lidhje të qartë epidemiologjike me njëri-tjetrin. Kjo strukturë, së bashku me ato të dërguara nga Tirana drejt Cërrikut, konstatuan se "një pjesë e konsiderueshme e rasteve të prekura me hepatit viral frekuentojnë kopshtet e bashkisë". Si rezultat i këtij përfundimi, të inspektimit të përbashkët të DSHP-së së Elbasanit dhe ISHP-së së Tiranës, u vendos të lihen për ndjekje një seri detyrash. "Të vazhdojë dezinfektimi, çdo ditë, me lëndët dezinfektante në kopshte", ka qenë porosia e parë e shëndetësisë për autoritetet vendore. Po kështu, inspektorët e shëndetit kanë kërkuar që të raportohet çdo ditë nëse ka raste të reja të prekurish me verdhëz, si edhe për frekuentimin e kopshtit të Cërrikut. "Të merren analizat e ujit të pijshëm çdo ditë, deri në një urdhër të dytë nga DSHP e rrethit", shënohet në detyrimet që duhet të plotësohen nga autoritetet vendore pas kësaj ngjarjeje. Ndërkohë që theksohet se duhet të vazhdojë hetimi (observacioni) epidemiologjik prej personelit shëndetësor, si dhe të bëhet promocion shëndetësor nga ana e personelit të kopshtit dhe atij shëndetësor në komunitet. "Ministria e Shëndetësisë ka marrë të gjitha masat dhe ka angazhuar organet shëndetësore të rrethit, si dhe specialistë të Institutit të Shëndetit Publik të Tiranës, që situata të jetë nën kontroll të vazhdueshëm dhe të eliminohen raste të epidemiologjisë së Hepatitit A". Kjo është një sëmundje infektive që shkaktohet nga një virus dhe përhapet në rrugë fekalo-orale, përmes duarve të palara, ushqimeve të ndotura apo orendive të kontaminuara. Zakonisht prek moshat e vogla që jetojnë në komunitet, si çerdhe, kopshte, shkolla e konvikte. Është direkt i lidhur me kushtet higjieno-sanitare, d.m.th ujërat e zeza, higjienën ushqimore por edhe atë individuale dhe pastërtinë e ujit të pijshëm. Fatmirësisht Hepatiti A nuk është kërcënues për jetën. Një pjesë e mirë e fëmijëve të prekur nga ky virus e kalojnë sëmundjen lehtë, pra me dobësi, anoreksi, të përziera.