E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gatimi me gaz, drejt mbylljes çerdhet e kopshtet

Të gjitha institucionet parashkollore, në qytetin e Fierit, rrezikojnë të mbyllen për shkak të mungesës së masave të sigurisë, pas përdorimit për gatim të bombolave të gazit. Shkak i rrezikut të mbylljes të të gjitha çerdheve dhe kopshteve me drekë në Fier është bërë incidenti i përsëritur në tri kopshte, ku soba e gatimit ka marrë flakë, pas shpërthimit të bombolave të gazit. Shqetësimi, që shkon deri në rrezik të jetës së shumë vogëlushëve, është bërë prezent në Bashkinë e Fierit, si dhe në Drejtorinë Rajonale të Arsimit, nga drejtoreshat e kopshteve, të cilat me dokumente zyrtare kanë njohur Departamentin e Arsimit të bashkisë lidhur me atë që ka ndodhur.

Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të këtij të fundit, si dhe nga shumë drejtoresha të kopshteve, të cilat janë shprehur për "Shqip" se ushqimi i fëmijëve realizohet në kuzhinat e kopshteve e çerdheve, të cilat përdorin si lëndë djegëse bombolat e gazit.

Në sekretarinë e kreut të Bashkisë Fier, Baftjar Zeqaj, gjen të protokolluar letër-ankesën e përcjellë nga Departamenti i Arsimit, ku drejtueset e kopshteve ku janë regjistruar incidente me zjarrin, treguan atë që ka ndodhur, si dhe kërkuan ndërhyrje të menjëhershme. Mësohet se rast zjarri, në kuzhinat e gatimit të institucioneve parashkollore me drekë, ka ndodhur në kopshtin nr.2, kopshtin nr. 4, si dhe kopshtin nr 3. Ndërsa me përmasa më të vogla, zjarri ka rënë edhe në kuzhinat e çerdheve dhe të kopshteve të tjera të qytetit të Fierit. Në kopshtin nr.2, zjarri i rënë në kuzhinë, për shkak ët shpërthimit të bombolës ka alarmuar jo vetëm stafin drejtues dhe edukatoret, por edhe 70 vogëlushët e tij. Madje, gjatë shpërthimit të bombolës, shpërthimi që është shoqëruar me flakë deri në korridoret dhe dhomat e fëmijëve, ka angazhuar jo vetëm repartin e mbrojtjes nga zjarri, por edhe policinë lokale. Prindërit e vogëlushëve, pas këtij incidenti të ndodhur për shkak të mungesës së masës së sigurisë, mësohet të kenë kërkuar me të drejtë nga edukatoret, drejtuesja, si dhe bashki,a ndërhyrje të menjëhershme.

Gjithashtu, në kopshtet e Fierit, drejtueset e kuzhinave të tregojnë edhe mjetet se me çfarë gatuajnë. Halime Serveti, një kuzhiniere kopshti, ka thënë për gazetën se në kuzhinën që drejton, gatuhet me një plitë gazi me tri vatra, e cila nuk ka kolaudim, por edhe masë sigurie. Drejtueset e kuzhinave që janë të parat në këtë rrezik të tregojnë se së bashku me drejtueset e kopshteve, kanë kërkuar ndryshim të lëndës djegëse që përdorin për gatim.

Bashkia e Fierit, e cila ka kompetencat ligjore për të siguruar bazën materiale në institucionet parashkollore, nuk ka marrë ende masë pas regjistrimit të këtyre rasteve të zjarrit dhe rrezikut që është shfaqur në jetën e vogëlushëve. Mësohet se nëpërmjet Qendrës Ekonomike të bashkisë dhe titullares së saj, Zana Moçka, jo vetëm që nuk është ndërhyrë për përmirësim kushtesh në kuzhina, por Moçka ka kërcënuar se deri në çelje të fondeve për mjete të reja për gatim, kopshtet dhe çerdhet le të mbyllen. Mbyllja e kopshteve dhe çerdheve rrezikon që më shumë se 750 fëmijë të Fierit të lënë edhe prindërit pa punë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›