E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Vajza 17-vjeçare vdiq nga mjekimi në mënyrë primitive"

Ekspertët dorëzojnë në prokurori raportin me shkaqet e vdekjes së 17-vjeçares Matilda Petriti, e cila nuk arriti t‘i mbijetonte një operacioni të thjeshtë për heqjen e bajameve. Pesë mjekë, me në krye shefin e ORL-së, Pjerin Radovani, kanë firmosur në dosje të gjitha shkeljet e kolegut të tyre otorino-laringolog, Xhevahir Hoxhallari, që, sipas tyre, jo vetëm ka kryer mjekim të pakujdesshëm, por ka shmangur mjekimin për pacienten e tij, atëherë kur vajza ishte në gjendje të rëndë dhe kishte nevojë për trajtim. Burime të "Top Channel" pohuan se në raport mjekët konsiderojnë si abuzim, edhe mospërshkrimin në kartelë të gjendjes shëndetësore të adoleshentes pas operacionit. Ngjarja e rëndë, e cila u kthye për disa ditë në kryelajm për të gjitha mediat, ndodhi në qytetin e Pogradecit, më 28 prill, kur humbi jetën adoleshentja dhe prindërit e saj akuzuan mjekun.

Mjekimi primitiv

Mjeku Hoxhallari ka regjistruar vetëm një fletë, datën 6 prill, ditë në të cilën vajza është operuar në klinikën private të tij në Pogradec, si dhe llojin e ndërhyrjes kirurgjikale. Por ai nuk ka shtuar asgjë ditë më parë, gjatë të cilave ajo ka pasur hemorragji, procedurë kjo e domosdoshme që ndiqet për pacientët. Po ashtu, është konsideruar shkelje nga dy specialistë të mjekësisë ligjore, nga shefi i pavijonit të ORL-së, Radovani, dhe dy mjekë të tjerë, edhe fakti që Hoxhallari ka anashkaluar ndihmën për pacienten e tij, atëherë kur ajo u soll në gjendje të rëndë në Tiranë. Në të njëjtin raport, operacioni i kryer ndaj Matilda Petritit konsiderohet i kryer me metoda primitive dhe jo sikundër kryhen operacionet normale të bajameve në Shqipëri. Ishte kjo shkelje që shkaktoi prerjen fatale të një prej venave furnizuese me gjak, gjë që ka sjellë edhe vdekjen e adoleshentes nga Maliqi i Korçës. Pesë specialistët shpjegojnë se mjeku ka përdorur medikamentin e gabuar për parandalimin e hemorragjisë në fyt, pasi, sipas tyre, nuk duhej që Hoxhallari t‘i vendoste asaj në plagë jo thjesht një medikament të zakonshëm, ashtu sikurse rezulton të ketë vepruar. Por përveç tyre, në raport thuhet se shkelje të detyrës, ditën që vdiq 17-vjeçarja, ka kryer edhe një doktor tjetër në spitalin civil. Kjo pasi, pavarësisht se mjeku gjendej në shërbim, nuk e ka mjekuar adoleshenten. Përkundër deklaratave për ta mbrojtur kolegun e tyre muaj më parë, të njëjtët mjekë kanë hedhur firmat për shkeljet e tij në profesion, duke e dorëzuar raportin në llogari të hetimeve. Mjeku Xhevahir Hoxhallari është pezulluar muaj më parë nga detyra dhe pa të drejtë për të kryer operacione dhe tashmë që hetimet për të janë drejt përfundimit, çështja e tij pritet të shkojë së shpejti për gjykim.

Hetimi në prokurori

Mjeku Xhevahir Hoxhallari është marrë zyrtarisht i pandehur nga drejtësia, pasi ekspertiza mjekoligjore ka dalë në konkluzionin se ka pasur shkelje në mjekimin e 17-vjeçares, e cila humbi jetën në spital pas një operacioni bajamesh. Sipas hetuesve, mjeku Hoxhallari ka kryer mjekim të pakujdesshëm për adoleshenten Matilda Petriti, e cila ndërroi jetë në Qendrën Spitalore Universitare, pas hemorragjisë së madhe që iu shkaktua nga ndërhyrja kirurgjikale. Rasti i vdekjes së 17-vjeçares, disa kohë më parë, shkaktoi një reagim të ashpër të familjarëve, të cilët kërkonin dënim të mjekut, duke e akuzuar atë si shkaktar të vdekjes së Matildës. Ndërsa nga ana tjetër, mjekët dolën në mbrojtje të kolegut të tyre, duke konfirmuar se rasti kishte qenë i komplikuar dhe se Hoxhallari nuk ishte përgjegjës për fatkeqësinë. Por në lojë është futur Prokuroria e Tiranës, e cila sekuestroi procedurën mjekësore që është ndjekur në rastin e 17-vjeçares. Gjithashtu, hetuesit e çështjes kanë marrë në pyetje familjarët e viktimës, të cilët, për të ndjekur hetimet nga afër, kanë banuar në Durrës. Para hetuesve të çështjes, ata deklaruan të bindur se "Matilda Petriti vdiq për faj të mjekut". Sipas tyre, mjeku pogradecar, Xhevahir Hoxhallari, i ka prerë vajzës, nga fshati Libonik, një venë gjatë operacionit në fyt, duke shkaktuar hemorragjinë vdekjeprurëse. Të afërmit thonë se pas operacionit që vajza kishte kryer në Pogradec, e kanë çuar disa herë në Korçë dhe në Tiranë, për shkak të komplikacioneve. Pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, mjeku që e operoi po interesohej më shumë. Mjeku u është përgjigjur familjarëve duke thënë: "Unë e bëra detyrën time dhe në rast se ka hemorragji nuk është për fajin tim si doktor". Sipas akuzës, familjarët thanë se mjeku i garantoi që operacioni ishte kryer në rregull.

Familjarët: Vdiq për fajin e mjekut

"Ne dyshojmë se ai i ka prerë vajzës një damar. Është e çuditshme të vdesësh nga bajamet dhe po aq absurde ta mendosh. Kjo na bëri të dyshojmë që në fillim që është faji i mjekut. Matilda u bë keq pas operacionit dhe kishte shumë hemorragji nga goja. E çuam vajzën në Korçë dhe në Tiranë, por pas çdo ndërhyrjeje mjekësore kishte hemorragji", thanë familjarët e 17-vjeçares në Prokurorinë e Tiranës. Pas këtyre procedurave dhe marrjes në pyetje të mjekut Hoxhallari, hetuesit e çështjes janë bindur se vdekja e Matildës kishte ardhur si pasojë e gabimit të mjekëve që e mjekuan. Burimet deklarojnë se mjeku është marrë si person nën hetim "nën akuzën e mjekimit të pakujdesshëm". Tashmë pritet mbyllja e hetimeve dhe dërgimi i dosjes në Gjykatën e Tiranës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›