E Shtunë, 31 Tetor 2026

I nxehti afrikan në Shqipëri

Fillimi i nëntorit duket se nuk ka qenë ndonjë shkak i mjaftueshëm që moti të ftohej, sikundër i ka hije muajit të fundit të vjeshtës. Ajër i ngrohtë, ngjyra të errëta dhe zagushi. Kohë që gjithsecili me sadopak njohuri klimaterike mund ta konsiderojë si parathënien e shiut apo stuhisë. Por ndërsa tek- tuk çadrat nuk kanë munguar në duart e qytetarëve të kujdesshëm për çdo rast, meteorologët shprehen se ombrellat nuk do të na hyjnë në punë të paktën deri të premten.

Sipas meteorologëve, dje termometri ka shënuar temperatura rekord për këtë stinë, 28 gradë Celsius në qytetin e Elbasanit. Ndërkohë që, në zonat e tjera, temperatura e regjistruar ka qenë rreth 26 gradë Celsius. Këto ditë të ngrohta kanë ardhur pas importimit të të nxehtit afrikan.

Rryma të ngrohta nga zona e Afrikës së Veriut, drejt Jugut të rajonit tonë kanë sjellë për pasojë këtë rritje të temperaturave në të gjithë vendin.

Sinoptikanët parashikojnë se që nga dita e diel deri të enjten do të kemi një ulje të temperaturave me 2 deri në 3 gradë Celsius. Ndërsa të premten do të kemi reshje të bollshme shiu, që do të sjellin edhe uljen e mëtejshme të temperaturave.
Temperaturat e larta dhe aspak normale për stinën e vjeshtës do të vazhdojnë deri të premten.

Nga ana tjetër, këto masa ajrore të ngrohta, përveçse kanë zgjatur ditët me veshje të lehta, kanë shtuar në mënyrë të ndjeshme edhe virozat gripale. Pavijonet e urgjencave si në Pediatri, ashtu edhe në repartin e Kardiologjisë, në spitalin universitar "Nënë Tereza", por edhe në poliklinikat e lagjeve në kryeqytet janë tejmbushur. Të sëmurët manifestojnë shenjat e përgjithshme të virozave gripale për shkak të këtyre luhatjeve të pazakonta në këtë stinë, në prag të dimrit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›