E Diel, 1 Nëntor 2026

Masakroi në oborrin e gjykatës me levë dy persona, arrestohet autori

Arrestohet autori i ngjarjes së bujshme të ndodhur vetëm pak ditë më parë në oborrin e Gjykatës së Faktit në kryeqytet, Aleksandër Harizi. Mbrëmë pasdite, burimet zyrtare nga Drejtoria e Policisë Tiranë, njoftuan se, pas ngjarjes së ndodhur në afërsi të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, afro katër ditë më parë, ku mbetën të plagosur shtetasit Petrit dhe Shpëtim Tresa, respektivisht të moshave 52 dhe 30 vjeç, nga specialistët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit, falë një pune intensive operacionale mundësuan kapjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar të kësaj ngjarjeje, i cili dyshohet të jetë Aleksandër Jashar Harizi, 21 vjeç. Autori i masakrimit me mjete të forta të dy rivalëve në seancën gjyqësore për çështje prone është banues në fshatin Baldushk të Tiranës. Po sipas policisë kryeqytetase, dyshohet se Harizi është autori i tentativës së "vrasjes" me sende të forta të shtetasve Petrit dhe Shpëtim Tresa. Ngjarja e rëndë, e cila pati shumë dëshmitarë në një orë piku në Gjykatën e Faktit, ndodhi pas daljes së protagonistëve në sherr, nga një seancë gjyqësore ku duhej të ndaheshin pretendimet e palëve për çështjen e një prone. Pas ngjarjes, autorët mundën t‘i shpëtonin ndjekjes së policisë, e cila gjithsesi arriti t‘i identifikonte. Pas një pune të mirorganizuar, vetëm dje pasdite, është marrë masa e menjëhershme e arrestit në flagrancë ndaj shtetasit Neshet Irfan Seitllari, 41 vjeç, banues në Pogradec, gjë që solli edhe kapjen e autorëve të tentativës së vrasjes. Policia tha se Seitllari u kap në flagrancë teksa po transportonte me automjetin e tij, për në drejtim të qytetit të Pogradecit, autorin e dyshuar, shtetasin Aleksandër Harizi. Materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për konsumim të veprës penale të "vrasjes në rrethana të cilësuara, e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim", ndaj shtetasit Aleksandër Harizi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›