Italia, letër-porosi Shqipërisë për ndalimin e organizatës "Shkodra"
Drejtësia italiane pritet të dërgojë në Shqipëri një letër-porosi për ndalimin e bashkëpunëtorëve e të arrestuarve gjatë operacionit të koduar "Shkodra". Policia e Shtetit bëri të ditur dje se ende nuk ka mbërritur një kërkesë zyrtare për ndalimin e personave të akuzuar në Itali, megjithëse tha se do të zbatojë të gjitha ligjet ndërkombëtare dhe marrëveshjet midis dy vendeve. Ndërkohë, policia përtej Adriatikut raportonte se do të dërgonte në Shqipëri një kërkesë për ndalimin e të gjithë të dyshuarve, midis tyre edhe për këngëtaren e njohur, Liljana Kondakçi. Sipas tyre, pas ndalimit, personat e akuzuar mund të ekstradohen në Itali, nëse Parlamenti vendos të ratifikojë marrëveshjen me qeverinë shqiptare për ekstradimin e shtetasve shqiptarë që kërkohen prej tyre. Pardje, një nga lajmet më të bujshme në gati të gjitha mediat italiane, ishte shkatërrimi i një organizate të fuqishme mafioze, e lidhur direkt me "Ndrangetën" famëkeqe, e cila merrej prej vitesh me trafik ndërkombëtar të drogave të shtrenjta, heroinë e kokainë. Mes 20 personave të arrestuar dhe të tjerëve për të cilët tashmë është lëshuar urdhër-arrest, 11 janë shqiptarë, kryesisht nga Shkodra. Gjithmonë sipas mediave italiane, sasi të mëdha të heroinës dhe kokainës, pasi niseshin nga kryeqendra jonë veriore, mbërrinin në Kalabri dhe më pas po nga e njëjta organizatë shpërndaheshin në gjithë Evropën Perëndimore. Sipas të njëjtave burime, hetimet kanë zgjatur të paktën pesë vjet dhe u finalizuan vetëm tri ditë më parë, në bazë të përgjimeve dhe vëzhgimeve të shumta të kryera nga strukturat antimafie të Italisë.