E Diel, 1 Nëntor 2026

Dyshime mbi mafien italiane për 20 banesa të blera në Shëngjin

Blerja bëhet me para në dorë. Transfertat kryhen nga disa numra llogarie në bankat shqiptare

Bregdeti i Shëngjinit duket se nuk është i pëlqyer vetëm nga mafia ruse, por edhe ajo italiane. Sipas të dhënave, janë mbi 20 raste që shtetas të ndryshëm italianë, të cilët dyshohen sidomos për krime financiare në vendin e tyre, kanë bërë investime në bregdetin e Shëngjinit, sidomos në blerjen e apartamenteve në pallatet e reja.

Sipas informacioneve, gjatë dy viteve të fundit ka pasur shumë zhvillime në qytetin bregdetar të Shëngjinit. Në këto kushte janë afruar një sërë shtetasish të huaj, që nga shërbimet e sigurisë kombëtare janë parë me dyshim. Nga të dhënat e mbledhura, sidomos nga sektori i pastrimit të parave, rezulton se janë mbi njëzet persona nga Italia që janë interesuar për të blerë prona të ndryshme në bregdet. Sipas informacioneve të mbledhura, shumica janë nga Napoli dhe vende të tjera të Italisë, që njihen për lidhje me mafien italiane. Këta persona janë paraqitur në këtë zonë si biznesmenë, që kërkonin të blinin prona në bregdet. Por, më pas janë tërhequr dhe kanë kërkuar që të blejnë apartamente të ndryshme. Kështu, pothuajse të gjithë personat e dyshuar kanë blerë më shumë se një apartament, ku disa prej tyre, me çmime shumë të larta. Kryesisht, këto apartamente janë blerë në pallate të reja.

Mekanizmi për blerjen e tyre ka qenë thuajse i njëjtë, me ndërmjetës nga Shqipëria. Nga të dhënat mësohet se ata kishin një ose dy persona shqiptarë të cilët kishin krijuar lidhje me ta që nga Italia, për shkak të qëndrimit të tyre atje, ose në rrugë që ende nuk dihet. Këta persona interesohen për gjetjen e apartamenteve dhe në linja telefonike kryejnë pazaret me shtetasit italianë. Kur bien dakord në parim me pronarët e këtyre pronave, italianët vendosin të vijnë në Shqipëri për të bërë aktmarrëveshjet për pronësinë e apartamenteve. Në shumë raste ata i kanë mbajtur këto apartamente, por nuk përjashtohen edhe rastet që i kanë rishitur po në shtetas italianë.

Megjithatë, një tjetër hallkë e mekanizmit e zbuluar nga pastrimi i parave rezulton se ka të bëjë me transfertat e parave nga Italia për në Shqipëri. Sipas të dhënave të zbuluara, personat e interesuar për këto apartamente në Shëngjin, që dyshohet se kanë lidhje me mafien italiane, kanë paguar dorazi. Ata kanë kryer një sërë transfertash nga banka të ndryshme në një numër llogarie që hapnin në bankat shqiptare. Në numrin e llogarisë të hapur në Shqipëri, brenda dy ditësh vinin disa transferta, që mendohet se kryheshin duke kaluar disa banka, me qëllim për të humbur origjinën e tyre. Shuma e mbledhur arrinte në mijëra euro, që tërhiqeshin njëherësh nga italianët, të cilët mbërrinin në Shqipëri. Më pas, ata paguanin dorazi pronën në bregdetin shqiptar.

Pikërisht këto transferta janë bërë edhe objekt hetimi, pasi janë kapur nga specialistët kundër pastrimit të parave në Ministrinë e Financës. Ndërsa Drejtoria e Shërbimit Informativ në Lezhë ka pasur informacionet e saj në lidhje me këtë aktivitet të dyshimtë dhe ka raportuar për të, duke sjellë dyshime për përfshirjen e mafies italiane në investimet në Shqipëri. Në raportin e SHISH deklarohet se grupe kriminale kazaleze (napolitane) po shprehin dëshirën të investojnë në Shqipëri në drejtim të ngritjes apo blerjes së kazinove, ashtu siç është bërë në Mal të Zi dhe Maqedoni. Gjithashtu, SHISH përmend se organizata mafioze, “Ndragheta”, nëpërmjet disa lidhjeve të saj, shtetas italianë të paraqitur në Shqipëri si investitorë të rëndësishëm, po synon investimin në fushën e ndërtimeve.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›