Certifikata false, pranga në zyrën e Gjendjes Civile
Arrestohet Arta Danaj, përgjegjëse e zyrës në njësinë nr.7. Falsifikoi certifikatën e një emigranteje
TIRANË- Antikrimi ekonomiko-financiar pranë drejtorisë së policisë së Tiranës çon në qeli përgjegjësen e gjendjes civile, pasi akuzohet se shpërdoroi detyrën. Arta Danaj, 42-vjeç, me arsim të lartë, me detyrë punonjëse pranë Zyrës së Gjendjes Civile të Njësisë Administrative Nr. 7 në Tiranë është arrestuar ditën e djeshme, pasi ka pajisur me certifikatë të falsifikuar, me qëllim pajisjen me pasaportë një shtetaseje me iniciale X.N, e cila aktualisht ndodhet emigrante në shtetin grek. Burime zyrtare nga policia thanë se Arta Danaj dyshohet se duke qenë me detyrë përgjegjëse pranë kësaj zyre, ka favorizuar një shtetase për ta pajisur me pasaportë, megjithëse ajo nuk ndodhej në kryeqytet. Ndërkohë që bashkë me Danajn është vënë në pranga edhe Fiqirete Mullaj, 52- vjeçe, banuese në Tiranë. "Pas shtrirjes së gjerë të hetimeve rezultoi seMullaj, në bashkëpunim me punonjësen e zyrës së gjëndjes civile, kanë kryer falsifikimin e gjeneraliteteve të shtetases me iniciale X.N, për t'u pajisur me çertifikatë dhe kur ajo është pyetur në lidhje me ketë ngjarje ka dhënë shpjegime të rreme", -thanë burimet zyrtare nga policia e kryeqytetit. Dy punonjëset e gjendjes civile u shoqëruan në ambientet e policisë së Tiranës ku dhe iu komunikua masa e arrestit. Arta Danaj akuzohet se ka konsumuar, për veprat penale të "shpërdorimit të detyrës" dhe të "falsifikimit të akteve të gjendjes civile" në bashkëpunim, ndërsa Fiqirete Mullaj akuzohet edhe për kallëzim të rremë. Agjentët e Antikrimit Ekonomik i kanë shtrirë hetimet edhe në dosjet e tjera të Danajt në zyrën e Gjendjes Civile të njësisë nr.7, për të zbuluar ndonjë rast tjetër të ngjashëm. Hetimet e mëtejshme pritet të ndiqen nga Prokuroria e Tiranës.